Ministri Bytyqi mban takime të shumta në SHBA

Kosova

Ministri Bytyqi mban takime të shumta në SHBA

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 20:19
Bytyqi në SHBA

Në vazhdën e takimeve në SHBA, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi ka pasur takime me presidentin e Nova Virginia Community College, Scott Ralls, eksperten për vlerësim të performancës së mësimdhënësve, Elizabeth Ross, drejtorin menaxhues të Këshillit Kombëtar për cilësinë e mësimdhënies dhe udhëheqësit e DC Public Schools Central Office.

Në takim është diskutuar për punën e madhe që bëhet në këtë kolegj, identifikimin e nevojave të tregut të punës, për ndihmën dhe përkrahjen e studentëve dhe përgatitjen e tyre për këto programe.

Po ashtu, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit që studentët nga Kosova të kenë mundësi të bëhen pjesë e këtij kolegji, për çka presidenti Ralls shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar.

Ndërsa, në takim me eksperten për vlerësim të performancës së mësimdhënësve, Elizabeth Ross, u diskutua për metodat, sfidat dhe praktikat që ndiqen gjatë procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në SHBA.

“Edhe në Kosovë jemi tashmë në fazën fillestare të procesit për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe rreth kësaj ajo shprehu gatishmëri për të na dhënë përkrahje dhe për të na ndihmuar me praktikat më të mira dhe përvojën e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar”, tha ministri Bytyqi.

Ndërsa, në takim me udhëheqësit e shkollave publike, veç diskutimeve të shumta rreth arsimit parauniversitar në vendet përkatëse, në veçanti u diskutua mbi organizimin e shkollave publike në arsimin parauniversitar në SHBA, shkruan ministri Bytyqi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat