Dy personalitete të shquara në pulla postare

Kosova

Dy personalitete të shquara në pulla postare

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 12:24
Sejdi Hoxha, priti anëtarë të familjeve Statovci dhe Agani, të cilëve iu dhuroi pullat e para postare si dhe nga një pullë postare të punuara në bronz.

Në kuadër të tematikës ’’Personalitete të shquara”, Posta e Kosovës ka emetuar sot dy pulla postare me imazhet e profesorëve dhe veprimtarëve Ejup Statovci dhe Fehmi Agani.

Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, priti  anëtarë të familjeve Statovci dhe Agani, të cilëve iu dhuroi pullat e para postare si dhe nga një pullë postare të punuara në bronz.

Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të këtyre dy pullave postare të nderoj këta dy akademikë dhe veprimtarë të shquar të Çështjes Kombëtare.  

Ejup Statovci ishte rektor i Universitetit të Prishtinës në kohët më të vështira të ekzistencës së këtij tempulli të dijes, në vitet e 90-ta, gjate kohës së okupimit të egër serb. Ai nuk u nda asnjëherë nga studentët. Bashkë me ta doli në ballë të protestës historike të 1 tetorit në vitin 1997, që shënon një kthesë të madhe në rezistencën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ejup Statovci ndërroi jetë më 19 tetor 1999. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm rektori Ejup Statovci është shpall hero i Kosovës, nga presidenti i Kosovës, më 25 maj 2018.

Fehmi Agani ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Si profesor universiteti ai dha një kontribut të madh edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

Fehmi Agani ishte një nga veprimtaret më të dalluar politik të viteve të 90-ta. Ishte një nga ideologët më të shquar të rezistencës paqësore kundër regjimit serb. Agani mori pjesë edhe në Konferencën e Rambujesë.

Profesor Agani u vra nga forcat kriminale serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë, në pranverën e vitit 1999. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shpallet hero i Kosovës, nga presidenti i Kosovës, më 6 maj 2004.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat