Kanceri i gjirit po prek edhe moshat e reja

Kosova

Kanceri i gjirit po prek edhe moshat e reja

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 13:41
Ilustrim

Dy vjet më parë kishte vërejtur kishte vërejtur skuqje dhe ënjtje tek gjiri i saj. Por Fatmire Ferizi, e cila vuan nga kanceri i gjirit thotë se erdhi deri në këtë gjendje për shkak se as mjekët nuk e kanë ditur se ajo vuan nga kjo sëmundje.

Ajo thotë se për shkak të identifikimit të vonuar sëmundja e saj u avancua, dhe tani qe dy ditë u detyrua t’i nënshtrohet operimit për ta larguar njërin gji, derisa mjekët më herët i thoshin se ajo kishte vetëm probleme me cista.

Ajo për KosovaPress ka rrëfyer se si erdhi deri tek diagnostikimi i saj me kancerin e gjirit.

Ferizi: Para dy viteve i kam vërejtur simptomat e para

“Unë e kam vërejtur para dy viteve m’është enjtur dhe m’u skuq, shkova në Mitrovicë e mora udhëzimin më dërguan për Vushtrri  e kam bërë mamografinë tani kam ardhur në Prishtinë. niher nuk e zbuluan than ki vetëm cista. I kam bërë ultrazërat rregullisht në Mitrovicë...Tani në këtë fazë më ka plasur gjaku qaty tani kam bërë edhe një analizë privat dhe ai ma zbuloi që e kam kancerin....Qe dy ditë jam shtrirë këtu, më kanë operuar ma kanë hekur njërin gji ...tash më mirë jam”, ka thënë ajo.

Në gjendje të njëjtë është edhe e moshuara Sadie Kryeziu nga Mleqani i Malishevës  e cila thotë qe një vit e ka diagnostikuar sëmundjen me të cilën ajo ballafaqohet.

Ajo thotë se tani po ndihet më mirë, ndonëse i është nënshtruar operimit.

Kryeziu:  Ma kanë larguar njërin gji

“Niher nuk kam pasur dhimbje as kurgjo, tani mu ënjtur e më shpërtheu tani kam ardhur këtu në Prishtinë...Tani më kanë bërë operacion qe tri ditë me sot ma kanë hekur  njërin gji”, tha Kryeziu.

Në Klinikën Torakale pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës bëjnë të ditur se brenda një viti me kancer të gjirit janë diagnostikuar rreth 250 raste të reja, por shqetësues është numri i rasteve të prekura me këtë sëmundje tek moshat e reja.

Vetëm në këtë periudhë të vitit 3  raste janë diagnostikuar me kancer të gjirit në moshën 28 vjeçare.

Sipas drejtorit të  Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi shkalla e vetëdijësimit në Kosovë për këtë sëmundje lë ende shumë për të dëshiruar,  por shton se situata është shumë më e mirë krahasuar me vitet më parë.

Maliqi: Deri 250 raste të reja diagnostikohet me kancer të gjirit?

“Sa i përket numrit kemi 240-250 raste të reja në vit, në vitin 2002-2003 kishim 100 raste të reja në vit...aq i kishim mundësitë për t’i marr ato të dhëna nuk kishim të dhëna të tjera tani më 250 sillet numri total i rasteve të reja dhe kjo është një pasqyrë përafërsisht  reale, maksimalisht mund të jetë një numër deri 280 nuk e arrin 300...Tani kemi edhe lëkundje që nuk janë të shumta që karcenoma di  të paraqitet në moshën 35 vjeçare edhe në moshën 28 vjeçare që ne kemi dy tri raste të zbuluara që janë 28 vjeç dhe është karcenom e gjirit”, u shpreh ai.

Maliqi thotë se në Kirurgjinë Torakale përdoren metodat më të reja për trajtimin e kësaj sëmundje, por që shqetësim i tyre mbetet zbulimi i hershëm i këtij lloj kanceri.

Sipas tij kjo klinikë ka staf të mjaftueshëm dhe të avancuar për trajtim të kësaj sëmundje.

Maliqi:Përdorim protokollet më të reja për trajtim të kancerit të gjirit

“Ne jemi klinika më reprezentative e vetme në Kosovë e cila merret me trajtimin e kancerit të gjirit në aspektin kirurgjik me protokollet më të reja, me staf të trajnuar si nga mjekë, infermierë dhe stafi tjetër. Ne ndjekim trajnimet e përhershme, ne sjellim të gjitha metodat më të reja të trajtimit...Këtu aplikohen protokollet më të reja të trajtimit të kësaj sëmundje. Ne kemi staf të mjaftueshëm, numër të kirurgëve të trajnuar për këtë sëmundje dhe jemi duke i trajtuar në mënyrën më të mundshme, andaj nuk ka nevojë për shqetësim. Shqetësimi jonë është që ne t’i zbulojmë herët”, tha Maliqi.

Ai  ka treguar edhe  disa nga simptomat e kancerit të gjirit, pas të cilave është më se e nevojshme një kontrollim i menjëhershme tek mjeku.

Maliqi: Rrjedhja e gjakut nga gjiri, ndryshmet e madhësisë  janë disa nga simptomat

“Krahasuar me gjirin paraprak gjendjen paraprake ka një ndryshim në simetri, është asimetrik, ka një lungëz, ka një gropë, ka një gungë, ka një masë, ka një gjëndër që ne i themi tumor , dhe pasi që e sheh që diçka nuk është simetrike e prek. Në prekje  sheh që gjatë palpimit po vëren diçka një ndryshim në gji që nuk është sikurse në gjirin tjetër....Nëse nuk vëren asgjë nganjëherë vetëm kanë dhimbje vijnë tek mjeku, dhimbja nuk paraqet simptomë të kancerit të gjirit ...Nëse nga maja e gjirit do kemi rrjedhje gjaku ajo është një nga shenjat jo të sigurta, por shenjë me një risk për kancer të gjirit, dhe ajo paciente duhet të lajmërohet tek mjeku, po ashtu nëse e vëren se një pjesë e lëkurës ose edhe majës së gjirit ka filluar të hyjë brenda”, ka shtuar Maliqi.

Ndryshe, mjekët apelojnë që të gjitha gratë apo vajzat që kanë pasur më herët ndonjë familjare me kancer të gjirit, t’iu nënshtrohen më shpesh kontrolleve mjekësore, pasi kjo sëmundje është e trashëgueshme, por se është mëse e nevojshme që kontrollet mjekësore të shtohen mbi moshën 35 vjeçare.

E muaji tetor njihet si muaj i dedikuar për vetëdijësimin, paralajmërimin e rritjes dhe edukimin e individëve për kancer të gjirit. 

E për këtë qëllim klinika e Radiologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do organizojë  fushatën e kryerjes së mamografisë  pa pagesë nga 1 tetori deri më 31 tetor.

Qëllimi i fushatës këtë vit do të jetë kryerja e mamografisë tek femrat të cilat për herë të parë do të bëjnë këtë ekzaminim (mosha 40 vjeçare e sipër).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat