Studentët shembullorë dështuan në provim

Kosova

Studentët shembullorë dështuan në provim

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 21:22
Ilustrim

Vetëm në drejtimin e psikologjisë 25 studentë shembullorë me notën mesatare mbi 9 dështuan në provim pranues 86 studentë me notë mesatare mbi 9 kanë dështuar në provimin pranues të nivelin master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sivjet në vitin e ri akademik 2018/2019. Nga 14 fakultetet e UP-së sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të UP-së “listës së zezë” i prinë Fakulteti Filozofik, përkatësisht drejtimi Psikologji me 25 studentë me notën mesatare mbi 9. Pastaj Fakulteti Ekonomik me 20 dhe ai i Edukimit me 18 studentë të papranuar. 

Image

Kryetarja e komisionit për konkursin e programit master ‘Psikologji shkollore dhe këshillim’, Aliriza Arënliu tha se këto rezultate kanë ardhur për dy arsye: numrit të kufizuar të kandidatëve për t’u pranuar dhe se në konkurs kanë aplikuar studentë nga universitete të ndryshme. “E para ka të bëjë me numrin e kandidatëve të pranuar që është 20 dhe numri i konkuruesve ka qenë 189 dhe në mënyrë të natyrshme gati 80% të kanidateve nuk pranohen dhe në mesin e tyre mund të jenë edhe ata me notë mesatare 9. Në konkurs aplikojnë studentë nga universtete të ndryshme të cilat jo domosdoshmërisht kanë standarde të njëjta të vlerësimit për këtë notat mesatare jo domosdoshmërisht janë të njëjta prej një universiteti në universitet tjetër”, tha profesoresha Arënliu përmes postës elektronike.

Ndërsa, anëtarja e komisionit për konkursin e programit Gjuhë dhe Letërsi Angleze-Drejtimi Gjuhësi dhe Drejtimi Letërsi, Suzana Çapriqi tregoi se në drejtimin letërsi, në departamentin e Gjuhës Angleze asnjë student me notë mesatare mbi nëntë nuk ka ngelë pa u pranuar në programin e studimeve master duke mos komentuar listën e departamentit të Gjuhësisë. Mirëpo, sipas listave të publikuara në faqen zyrtare të UP-së në Depertamentin Gjuhë dhe Letërsi Angleze – drejtimi Gjuhësi janë 106 studentë të papranuar, prej tyre 10 janë studentë të papranuar me notë mesatare mbi 9. Çapriqi ka sqaruar se rezultati përfundimtar i kandidatëve ka dalë nga shuma e pikëve të testit pranues dhe pikëve të rezultatit gjatë studimeve paraprake, sipas formulës të softwerit të sistemit elektronik të notimit të UP-së.  Duke shtuar se administrata i ka futur të dhënat për suksesin paraprak, ndërsa profesorët i kanë vendosë pikët nga rezultati i testit. Profesoresha Suzana Çapriqi ka hezituar të përgjigjet për shkaktarët eventual që ndikuan në mospranimin e tyre, duke thënë se ka mundësi që rezultati përfundimtar të ketë qenë i ndikuar nga faktorët e ndryshëm. 

“Për mendimin tim për të marrë një përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje duhet të bëhen studime hulumtuese rreth faktorëve të lart përmendur dhe vetëm kështu mund të dalim më një përgjigje të saktë se pse ndodh kjo”, ka shtuar ajo. Në mesin e 86 studentëve me notë mesatare mbi 9 që kanë dështuar në provimin pranues të nivelin master në Universitetin e Prishtinës është edhe një studente me notë mesatare 9.83 e cila kishte ardhur nga një universitet privat (emra të tillë të studentëve që kanë ardhur nga universitetet private gjen edhe më shumë në listën e të papranuarve dhe që kanë notë mesatare mbi 9). Ajo kishte aplikuar në programin Gjuhë Angleze në drejtimin Gjuhësi, megjithatë ajo nuk fajëson UP-në për mospranimin e saj, njëkohësisht provimin pranues e quajti jo të vështirë. Mirëpo ajo u shpreh e pakënaqur me përqindjen e vlerësimit. “Por nuk është se pajtohem me këtë përqindjen e vlerësimit që është bërë në UP”, tha ajo duke treguar se as nuk është ankuar, pasi që ajo nuk e sheh të arsyeshme këtë.

Në anën tjetër një studente po ashtu nga një universitet privat me notë mesatare 9.89 tha se provimi pranues ishte i vështirë, por diçka që i duket e papranueshme është edhe përqindja e madhe nga provimi pranues që llogaritet si kriter për tu pranuar.

“Nuk më duket në rregull që unë me notë mesatare 9.89 të mos pranohem e dikush që ka mesataren shumë më të ulët të pranohet. E kuptoj luajnë rol pikët në provim pranues mirëpo pse kjo përqindje kaq e lartë. Edhe nota mesatare ka një rol shumë te rëndësishëm”, tha ajo duke dashur të mbetet anonime. Kjo studente tregoi së sot ka bërë ankesë por, tha se nuk pret ndonjë rezultat pozitv duke shtuar se do të orientohet në një universitet tjetër pasi që siç tha ajo “UP po bën diskriminime”.

Sa i përket mënyrës së vlerësimit të studentëve ndryshe vlerëson profesori i UP-së në departamentin e Gjuhës Shqipe, Rrahman Paçarizi. Ai tha se UP ka bërë një shpërndarje të mirë duke ndarë 30 për qind për suksesin paraprak, 20 për qind për njohjen e anglishtes dhe 50 për qind për provimin pranues nga fusha e synuar e studimeve.

Ndërsa sa i përket asaj se studentët bursistë nuk kanë arritur të kalojnë testin pranues për nivelin master theksoi se kandidatët që kanë aplikuar mund të vijnë nga universitetet e tjera që sipas Paçarizit kanë kritere të tjera të vlerësimit.

“Kur them kështu kam parasysh se një pjesë e kandidatëve mund të vijnë nga universitete të tjera ku kriteret e vlerësimit mund të mos jenë të njëjta me UP apo me programet përkatëse”, tha për rtv21.tv profesori i UP-së, Rrahman Paçarizi. Ai gjithashtu shtoi se numri i kandidatëve për tu pranuar është i vogël dhe sipas tij duhet të rritet madje qysh sivjet por këtë punë mund ta bëjë MASHT në bashkëpunim me Agjencinë e Akreditimit. Sivjet gjithsej  2 mijë e 254 studentë kanë pasur fatin të bëhen pjesë e UP-së për studime postdiplomatike – master. Kujtojmë se senati i UP-së sivjet ka vendosur për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. Kështu si kriter primar kanë qenë pikët e provimit pranues (që janë 70 pikë), ndërsa nga suksesi në studimet themelore studenti ka pasur mundësi t’i grumbullojë deri në 30 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat