Gjykata rrëzon aktakuzën për terrorizëm ndaj Rinor Dizdarit

Kosova

Gjykata rrëzon aktakuzën për terrorizëm ndaj Rinor Dizdarit

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 12:25
Foto ilustrim

Pretendimet se Rinor Dizdari deshi të shkojë në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet luftës në Siri dhe atë organizatave të quajtura “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham”, i ka hedhur poshtë Gjykata Themelore në Prishtinë pas kërkesës së avokatit Nasuf Hanasni.

Gjykata e hedhi poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarit Rinor Dizdari, me arsyetimin se aktakuza nuk është e bazuar në provat që vërtetojnë faktet kryesore, si dhe nuk janë plotësuar elementet esenciale të kësaj vepre penale.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Rinor Dizdari me vullnet dhe vetëdije kishte planifikuar të udhëtonte në Siri që t’i bashkohej dy grupeve, “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham”, të cilat kanë themeluar në Siri ushtritë e veta.

Qëllimi i tij sipas prokurorisë ka qenë që të takohet edhe me dy persona, Egzon Iseni dhe Rone Eminin, të cilët në atë kohë gjendeshin në luftën e Sirisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dizdari fillimisht kishte shkuar në Shkup prej nga edhe kishte fluturuar për në Stamboll dhe nga Stambolli udhëton për në Siri që t`i bashkëngjitet organizatave ushtarake në Siri, por pas arritjes në Turqi, me kërkesë të autoriteteve Kosovare, është nxënë nga autoritetet turke dhe është kthyer për në Kosovë.

Në shqyrtimin fillestar, Rinor Dizdari kishte thënës se nuk kishte për qëllim të shkonte në konflikt, por se në Siri do të shkonte për qëllime humanitare.

“Qëllimi paraprakisht ka qenë për ndihmë humanitare, qëllimi im nuk ka qenë t’i bashkohem ndonjë konflikti të armatosur”, kishte deklaruar i akuzuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat