Kontingjenti i FSK-së përfundoi me sukses ushtrimin “Saber Junction 2018”

Kosova

Kontingjenti i FSK-së përfundoi me sukses ushtrimin “Saber Junction 2018”

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 14:22
Foto

Një kontingjent i FSK-së, nga data 12 shtator deri më 1 tetor 2018, mori pjesë në ushtrimin fushor “Saber Junction 2018” në Hohenfels, Gjermani.

Kontingjenti përbehej nga 10 pjesëtarë të Policisë së Forcës dhe dy vlerësues/ kontrollues.

Ai i është bashkangjitur Kompanisë Pranë Shtabit të Batalionit të 54-të të Xhenios në Grafenwohr, në fazën e planifikimit dhe përgatitjes për zhvillimin e operacionit përfundimtar, luftimit Forcë me Forcë, kurse vlerësuesit/ kontrolluesit kanë vazhduar trajnimin në Akademinë për Vlerësues/Kontrollues.

Kontingjenti i FSK-së së bashku me njësitë tjera kanë kryer këto aktivitete si ndërtimi i pikës së grumbullimit për të ndaluarit e luftës, organizimi, funksionimi, trajtimi i tyre, përcjellja e konvojeve, pikat e kontrollit, ofrimi i sigurisë fizike, perimetri i sigurisë, kontrollimi i personelit dhe evakuimi i civilëve nga fushëbeteja.

Tetarit Arian Ramadani, nga ekipi vlerësues/kontrollues, i është ndarë “Certifikata e Arritshmerisë”, kurse tetari Petrit Qollaku nderua me çmimin “Hero i Hohenfelsit”, për angazhim, gatishmëri, përformancë dhe aftësi të dalluara gjatë ushtrimit fushor.  

Ushtrimi u organizua nga Komanda e 7-të e trajnimit të ushtrisë në Qendrën e Bashkuar Shumëkombëshe të Gatishmërisë në Hohenfels, dhe ishte dizajnuar që të vlerësojë gatishmërinë e Brigadës 173 të Këmbësorisë Luftarake gjatë zhvillimit të operacioneve tokësore në një ambient të kombinuar, si dhe të promovojë bashkëveprimin me 20 shtetet aleate dhe partnere. 

Në këtë ushtrim morën pjesë rreth 5500 pjesëtarë dhe njësi të ndryshme.  Kontingjenti i FSK-së është vlerësuar për motivin e lartë, disiplinën dhe gatishmërinë e treguar gjatë gjithë kohës së realizimit të ushtrimit fushor “Saber Junction 2018”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat