Në nëntor dalin rezultatet e para për shkaktarët e ndotjes në Kosovë

Kosova

Në nëntor dalin rezultatet e para për shkaktarët e ndotjes në Kosovë

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 17:05
Ndotja në Prishtinë

Përfaqësuesit e Task-Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, gjatë një takimi sot aprovuan propozim-vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike, i cili do të procedohet për miratim në qeveri.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të MMPH-së Fatmir Matoshi ka thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në institucionet publike ka për qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit.

Matoshi: Kërkojmë të ndërpritet përdorimi i thëngjillit në të gjitha institucionet

“Bashkë me Task-Forcën sot u dakorduam që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë ta dërgojmë për aprovim ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Këtë vendim po e përgadisim  si ministri dhe e marrim edhe mbështetjen e Task-Forcës dhe besojmë ta kemi edhe mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovë. E dimë që nuk është e lehtë, e dimë që ka sfida, sepse mund të ketë institucione, të cilat nuk janë të përgatitura për të filluar menjëherë me zbatimin e këtij vendimi”, tha Matoshi.

Ai ka prezantuar edhe projektet që MMPH-ja është duke realizuar së bashku me JICA japoneze dhe MMC në fushën e ajrit, duke përfshirë hulumtimin e JICA-s rreth ndotësve në vend, rezultatet e të cilit do të dalin në fillim të nëntorit.

Matoshi: Në nëntor dalin rezultatet e para për shkaktarët e ndotjes

“Njërin projekt e kemi me Qeverinë Japoneze përmes JICA  dhe aktualisht kanë filluar me implementim të projektit ngritja e kapaciteteve në kontrollin e ndotjes së ajrit, ku në fillim të muajit nëntor do të kemi edhe rezultatet e para të një hulumtimi shumë profesional për shkaktarët e ndotjes së ajrit në Kosovë. Atëherë do ta dimë a është thëngjilli, a janë veturat, apo kush është shkaktari kryesor”, ka thënë Matoshi.

Në takimin e tretë të Task-Forcës, Matoshi ka njoftuar se kanë marrë vendim që Ministria e Infrastrukturës  të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollin e gazrave të veturave.

Matoshi: Nga viti 2019 do të vendosen pullat ambientale në të gjitha veturat e regjistruara

“Ministria e Infrastrukturës do të rrisë mbikëqyrjen e zbatimit administrativ, i cili ka të bëjë me kontrollin e gazrave të veturave, në rastin e kontrollit teknik të veturave dhe po ashtu në këtë takim bisedum edhe për vendosjen e pullave ambientale nga janari i vitit 2019 në të gjitha veturat që regjistrohen në Kosovë”, tha Matoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat