Kërkohet zgjerimi i programit “Fulbright”

Kosova

Kërkohet zgjerimi i programit “Fulbright”

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 17:25
Pamje nga takimi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, me të cilët ka biseduar për bashkëpunim në fushën e arsimit, me theks të veçantë për bashkëpunimin rreth programit “Fulbright”.

Në këtë takim, i cili është zhvilluar pas vizitës zyrtare që ka pasur ministri Bytyqi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u tha se përvoja amerikane dhe gatishmëria për ta përkrahur Kosovën për reformat në arsim që ka marrë në të gjitha takimet, janë shumë të rëndësishme për MASHT.

Ministri Bytyqi ka falënderuar SHBA-të dhe popullin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën, sidomos në fushën e arsimit, ndërsa, sa i përket programit “Fulbright”, ai tha se ka dhënë idenë që të zgjerohet ky program dhe MASHT të dyfishojë fondin.

Richard Mei, zyrtar për Çështje Publike dhe zëvendësshef i Misionit, ka thënë se janë të inkurajuar për rezultatet e takimeve që ka pasur ministri Bytyqi në ShBA dhe vullnetin për të bashkëpunuar në reformat e synuara në sistemin arsimor në Kosovë.

Ai tha se sa i përket programit “Fulbright”, tashmë pas 9 vitesh të implementimit të tij në Kosovë, është koha të mendohet edhe për krijimin e Komisionit të “Fulbright-it”, të cilin mund të bëjnë me një marrëveshje qeveritë e të dy vendeve, e që është një komision shumë i rëndësishëm në 50 shtetet në botë që funksionon.

Ndryshe, programi “Fulbright” ofron grante për studentët e Kosovës për studime në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat