Haradinaj në Suharekë, përuron tri projekte

Kosova

Haradinaj në Suharekë, përuron tri projekte

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 17:42
Suharekë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në komunën e Suharekës, me ç'rast ka bërë përurimin e parkut "Shtigjet e ecjes", dy rrugëve në këtë komunë, si dhe ka vizituar kompaninë "Frutex".

Haradinaj, së bashku me kryetarin e kësaj komune, Bali Muharremaj, pas përurimit, vizituan parkun me gjatësi prej 2.5 kilometrash.

 Haradinaj tha se ky park është për lakmi, dhe shtoi se do të donte ta kishte një park të tillë edhe në Prishtinë.

Ai bëri thirrje që ky park të mirëmbahet, njëherësh premtoi që si Qeveri do të angazhohen për realizimin e projekteve të tjera në komunën e Suharekës.

Ndërkaq, i pyetur se a do t'ia rekomandonte një shteg të tillë edhe kryetarit të Prishtinës, Haradinaj tha se po, dhe sugjeroi që në parkun e Gërmisë të vendoset më shumë ndriçim.

Haradinaj: Do të punojmë që t’i realizojmë të gjitha projektet

"Në Suharekë ka nevojë për plot projekte, disa janë veç në proces me ndodhë, për disa tjera që janë pak më të vështira si Liqeni i Dragaçinës dhe disa projekte që janë më të mëdha, ne nuk kemi hekë dorë por do të punojmë që t'i realizojmë, të gjitha projektet që janë dedikuar popullit të Suharekës, jam i bindur që do t'i realizojmë bashkë", ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Muharremaj tha se ky park është ndërtuar që të jetë i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe kategoritë, dhe bëri apel që ta ruajnë ambientin.

Ndërkaq, për problemin me ujë të pijshëm të banorëve të Suharekës, Muharremaj tha se kanë ndarë 1.2 milionë euro për vitin e ardhshëm.

Muharremaj: Ky park është i nevojshëm për të gjithë

 "Sot po e përurojmë parkun e qytetit "Shtigjet e ecjes", gjatësia është 2.5 kilometra. Do t'i shërbejë të gjitha moshave, pa dallime, por, në radhë të parë është me rëndësi që këtu kanë vend të bukur edhe personat me aftësi të kufizuara. Ne kemi menduar për të gjitha kategoritë, vitin e ardhshëm vazhdojmë edhe me një trase të re, edhe 2.5 kilometra", ka thënë Muharremaj.

Haradinaj mori pjesë edhe në përurimin e rrugës në Shirokë, rrugë kjo që lidhë komunën e Suharekës me atë të Prizrenit.

 Në përurimin e kësaj rruge Muharremaj premtoi se vitin e ardhshëm do ta zgjasin këtë aks rrugor edhe 2.5 kilometra, kurse kryeministri Haradinaj tha se pos investimeve në infrastrukturë, do të angazhohen që edhe projektet për rregullimin e problemit me ujë të pijshëm ta shohin dritën.

Kryeministri Haradinaj po ashtu vizitoi edhe kompaninë "Frutex", të cilën e cilësoi si një nga kompanitë më tatimpaguese në Kosovë. K jo kompani pritet të eksportojë produktet edhe në Irak, dhe Haradinaj tha se kjo po i kontribuon ekonomisë së Kosovës.

Haradinaj: Kompania “Frutex” po i kontribuon ekonomisë së Kosovës

"Jemi te tatimpaguesi më i madh në Kosovë, një ndër 15 tatimpaguesit më të mëdhenj në Kosovë, ndërsa nga prodhuesit është më i madhi. Kjo flet shumë, kontribuon në atë që është ekonomia jonë, në prodhim, në punësim, por edhe në buxhetin e vendit", ka thënë Haradinaj.

Ndërsa pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, tha se qeveria Haradinaj i ka krijuar lehtësira prodhuesve, duke i liruar nga pagesa doganore e lëndës së parë.

Palushi:  Kompania jonë këtë vit ka pas rritje

 "Krejt kjo ka pas impakt në kompaninë tonë duke rritë investimet, kapacitetet por duke rritur edhe numrin e të punësuarve dhe të ardhurat e tyre. Këtë vit kompania jonë ka pas rritje të eksportit 15 përqind dhe po ashtu presim që kjo rritje dhe ky trend të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme", ka thënë Palushi.

Vizita e Haradinajt në Suharekë është përmbyllur në fshatin Delloc, ku edhe ka bërë përurimin e fillimit të ndërtimeve të një rruge të re në këtë fshat.

Kjo rrugë me një gjatësi prej 9 kilometrash do të lidhë komunën e Suharekës dhe atë të Shtërpcës. Haradinaj tha se qytetarët kanë pritur gjatë për këtë rrugë, të cilën e cilësoi të qëlluar, dhe tha se kjo rrugë do t'i lidhë ekonomitë e këtyre komunave.

Kurse kryetari Muharremaj tha se kjo rrugë do t'i kontribuojë edhe zhvillimit të turizmit mes dy komunave, dhe shtoi se shpreson që vitin e ardhshëm të fillojnë edhe me aksin e dytë. Në vazhdën e vizitave në Suharekë, Haradinaj mbajti një takim pune edhe në komunën e Suharekës, ku bashkë me kryetarin Bali Muharremaj biseduan për projektet e sotme dhe ato të cilat janë duke bashkëpunuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat