“Në emër të lirisë”, komuniteti LGBTI kërkon respektimin e të drejtave

Kosova

“Në emër të lirisë”, komuniteti LGBTI kërkon respektimin e të drejtave

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 11:52
Parada e Krenarisë

(E plotësuar) - Me moton “Në emër të lirisë”, sheshet e Prishtinës sot u mbushën me njerëz dhe shumë ngjyra. Komuniteti LGBTI përmes Paradës së Krenarisë, kërkoi respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre.

Për vitin e dytë radhazi kjo paradë u organizua në Kosovë, duke u bërë thirrje institucioneve në respektimin e të drejtave kushtetuese të këtij komunitetit, për një shoqëri më diverse dhe demokratike.

Aktivisti Lendi Mustafa tha se në këtë rast janë bashkuar për të kërkuar liri, duke kujtuar se kanë të drejta të barabarta sikurse çdo komunitet tjetër.

Me shpresën që do i gëzojnë të drejtat e tyre për shumë kohë të mohuara, Mustafa tha se ata si pjesë e shoqërisë po fuqizohen gjithnjë e më shumë.

Mustafa: Kërkojmë që institucionet mos të na e mohojnë identitetin

“Sot në emër të lirisë i ftojmë të gjitha institucionet shtetërore që të mos na e mohojnë identitetin, të ofrojnë mundësi të barabarta dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të drejtat e njeriut dhe të shkojmë drejt një shoqërie diverse. Sot kërkojmë liri për personat që nuk kanë liri të lirohen nga presioni familjar dhe shoqëror, lirinë për të qenë vetja për të jetuar një jetë të përmbushur me dashuri, sukses dhe lumturi, lirin për të shprehur vetën ashtu siç jemi, lirinë që shumë aktivit dhe aktiviste, persona LGBT-i nuk e gëzuan” , u shpreh ky aktivist.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se me praninë e saj dhe të shumë përkrahësve të tjerë për komuniteti LGBT, po përçojnë mesazhin që në Kosovë ka një tolerancë dhe secili qytetar mund të ndihet i lirë.

Hoxha: Secili qytetar në Kosovë duhet të ndihet i lirë

“Secili qytetar duhet të ndihet i lirë, t’i shpreh ndjenjat e tyre, të shpreh dashuri, dhe është gjithashtu shumë e qëlluar edhe motoja e këtij viti “Në emër të lirisë“, pra ne si shtet i ri duhet gjithashtu të sigurojmë që secili qytetar, që secili komunitet të ndihet i sigurt, t’i gëzoj të drejtat e veta”, u shpreh ajo.

Në këtë paradë ka marr pjesë edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, si dhe ambasadorët e tjerë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell  tha se sot në sheshet e Prishtinë po festojnë lirinë dhe dashurinë.

O’Conell: Sot po festojmë lirinë dhe dashurinë

“Unë këtu jam sot për të festuar lirinë dhe dashurinë, këto janë dy gjëra për tu festuar dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme që shumica e njerëzve këtu janë prej Kosovës, nuk janë të huaj, janë të shoqërisë së Kosovës edhe ata festojnë komunitetin, dashurinë e vetë”, ka deklaruar ambasadori britanik.

Për të përkrahur paradën e komunitetit LGBTI kishte dal edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila.

Kusari- Lila u shpreh se e drejta e përcaktimit seksual duhet të respektohet gjatë 365 ditëve të vitit.

Lila: E drejta e zgjedhjes duhet të respektohet nga të gjithë

“E drejta e zgjedhjes duhet të jetë e drejtë e cila jo vetëm garantohet me ligj por të respektohet nga secili njeri. Ka një mur ende ndarës në mes të perceptimeve mbi të drejtat e zgjedhjes së lirë të secilit individ në shoqërinë tonë, por mendoj që gradualisht se çdo kush duhet ta kuptoj se mbi të gjitha është dashuria”, ka shtuar Lila.

Nëpër sheshet e kryeqytetit të pranishme ishin edhe forca të rendit, që ishin angazhuar për të përcjellë mbarëvajtjen e marshit. 

LGBT po mban Paradën e Krenarisë në Prishtinë

Në Prishtinë po mbahet “Parada e Krenarisë”, organizim ky i komunitetit LGBTI.

Në këtë organizim që po mbahet me moton “Në emër të lirisë” po merr pjesë edhe shefja e zyrës së BE-së Natalya Apostolova, ambasadorët e shteteve të huaja që gjenden në Kosovë, ministri e Integrimeve Dhurata Hoxha, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, etj.

Ministrja Hoxha tha se është këtu që të përçojë  mesazh se në Kosovë ka tolerancë dhe secili mund të jetë i lirë dhe të shpreh  dashuri është e qëlluar.

Hoxha tha se synojnë që secili qytetar dhe komunitet të ndihet i sigurt për të jetuar.

***

Me moton, “Në emër të lirisë”, pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), po mbajnë Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që ky komunitet po mbanë një paradë të tillë.

Krahas organizatorëve nga ky komunitet, në paradë po marrin pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe personalitete nga shoqëria civile.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ofruar mbështetje institucionale për organizimin e kësaj parade.

“Orientimi seksual është përcaktim individual në secilën shoqëri dhe si i tillë duhet respektuar. Është fat i madh që duke qenë shtet i ri ne kemi Kushtetutën, që siguron liri individuale për të gjithë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“LGBTI dhe Java e Krenarisë do ta kenë mbështetjen institucionale, për të qenë të lirë dhe sigurt në shfaqjen e përcaktimit të tyre”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Para dhe gjatë kohës së mbajtjes së kësaj parade, nëpër sheshet e Prishtinës janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

Gjatë javës së fundit janë zhvilluar disa aktiviteti, ky pjesëtarët e LGBT kanë potencuar se po ndihen të diskriminuar dhe të kërcënuar në vazhdimësi.

Përfaqësuesit e tyre, kanë thënë se një numër i këtij komuniteti po e lëshon Kosovës, pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë.

Për herë të parë, Parada e Krenarisë në Prishtinë është mbajtur vitin e kaluar ku të pranishëm ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile si dhe politikanë të Kosovës.

***

Po mbahet Parada e Krenarisë në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat