Vetëvendosje e quan anti-kushtetues ndryshimin e kufirit mes Fushë Kosovës dhe Graçaniçës

Kosova

Vetëvendosje e quan anti-kushtetues ndryshimin e kufirit mes Fushë Kosovës dhe Graçaniçës

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 12:21
Albana Gashi dhe Xhelal Sveçla

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë lidhur me ndryshimin e kufijve-ndërkomunal mes Fushë Kosovës dhe Graçanicës, ku kjo e fundit ia ka dhënë Fushë Kosovës fshatin Uglar dhe Zonën Kadastrale të Prejocit.

Deputetja e Vetëvendosjes dhe kryetarja e degës së Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, Albana Gashi, ka thënë se ky vendim i dy Kuvendeve Komunale (Graçanicë dhe Fushë Kosovë) është anti-kushtetues.

“Vendimi i datës 15 shtator 2018 i Kuvendit Komunal të Graçanicës dhe vendimi i sotëm i Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës konsiderohen të jenë jashtë kompetencës, të kundërligjshme dhe anti-kushtetuese”.

“Ky vendim është në kundërshtim me ligjin aktual sepse ligji shprehimisht këto Zona Kadastrale ua njeh komunave përkatëse”.

“Njejtë edhe Kushtetuta e parasheh ndryshimin e kufijve përmes ndryshimeve ligjore. Kufijtë administrativë mund të ndryshohen vetëm nga Kuvendi i Kosovës. Është në kundërshtim me Kushtetutën sepse Kushtetuta përcakton se kufijtë e komunave mund të ndryshohen vetëm me Ligj, respektivisht me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ”.

“Procesi si erdhi deri te ky vendim i paligjshëm është po ashtu edhe i paprecedent, me nxitim, pa shpjegime, i parregulltë, pa konsultime me qytetarë dhe jashtë kompentencave të nivelit komunal”.

Gashi ka akuzuar kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berishën, për ndikim mbi asambleistët lidhur me këtë vendim.

“Brenda dy ditësh, komuna e Fushë Kosovës përcolli dokumentet e këtij vendimi të jashtëligjshëm, thirri mbledhje të Komiteteve të Kuvendit Komunal, ku edhe vet kryetari i komunës ishte pjesëmarrës në këtë mbledhje”.

“Kryetari i Komunës, Burim Berisha, nuk merr pjesë në asnjë seancë të Kuvendit Komunal derisa dje për të bërë presion tek asambleistët, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit për Financa”.

“Ky vendim ka kaluar në seancën e sotme dhe është votuar nga asambleistët e LDK-së, në përjashtim të një asambleisteje, AKR-së, PD-së dhe minoritetet e tjera”.

“Në Kuvendin e Graçanicës, ka qenë vetëm asambleisti Nenad Rashiq që ka votuar kundër këtij vendimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat