Komuna dhe ministria e Infrastrukturës pajtohen rreth punimeve të “Bechtel Enkës”

Kosova

Komuna dhe ministria e Infrastrukturës pajtohen rreth punimeve të “Bechtel Enkës”

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 18:43
Autostrada “Arbën Xhaferi”

Me arsyetimin se po shkaktohet zhurmë, komuna e Hanit të Elezit mori vendim për ndërprerjen e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” pas orës 23:00, punime që kryhen nga kompania “Bechtel Enka”.

Ky vendim ka shkaktuar përplasje mes komunës dhe ministrisë së Infrastrukturës, ani pse kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma tha dje se ministria ishte e informuar për këtë vendim.

Mirëpo zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu thotë se nuk kanë kurrfarë përplasje me komunën.

Kadriu demanton kryetarin e komunës duke thënë se takimet mes ministrisë dhe komunës kanë vazhduar.

“Takimet e rregullta kanë vazhduar. Shqetësimin e kryetarit të komunës e arsyetoj vetëm në disa pika”, tha Kadriu.

Kadriu tha se takimi i paralajmëruar për dje mes komunës dhe “Bechtel Enkas”, i cili nuk u mbajt pasi që kompania në fjalë nuk u paraqit, u zhvillua sot.

Kadriu përsëriti qëndrimin se punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” nuk guxojnë të ndërprehen nga askush.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, se qysh janë zhvilluar punimet duhet të zhvillohen edhe më tutje. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë por nuk kanë të drejtë ta pengojnë kompaninë implementuese, në këtë rast Bechtel Enka-n”, tha ai.

Theksojmë se ministri Pal Lekaj, vendimin për ndërprerjen e punimeve e vlerësoi si ndalesë të organizuar për qëllime personale.

Ai e porositi kryetarin t’i gëzohet këtyre punimeve që janë për të mirën e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat