Komuna e Klinës bëhet me Qendër të Kujdesit Ditor për fëmijët me autizëm

Kosova

Komuna e Klinës bëhet me Qendër të Kujdesit Ditor për fëmijët me autizëm

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 10:40
Komuna e Klinës është bërë me Qendër të Kujdesit Ditor

Komuna e Klinës është bërë me Qendër të Kujdesit Ditor, e cila do të ofrojë shërbime ditore për fëmijët me autizëm, zhvillim të vonshëm, si dhe ngritjen e vetëdijes së popullatës së përgjithshme për trajtimin e fëmijëve të tyre, duke promovuar vlerat dhe të drejtat shëndetësore në mesin e popullatës.

Sipas të dhënave të Qendrës për Punës Sociale dhe të organizatës joqeveritare “Zana”, në këtë komunë janë gjithsej 40 fëmijë me autizëm, por që në këtë qendër, sipas tyre janë lajmëruar edhe një numër i fëmijëve nga komunat fqinje.

Qendra e Kujdesit Ditor në Klinë është hapur në kuadër të projektit “Edukimi gjithëpërfshirës i fëmijëve me nevoja të veçanta” të cilin projekt e financon Ministria e Shëndetësisë, kurse implementohet nga organizata joqeveritare “Zana”.

Drejtoresha e kësaj organizate, Tahire Gashi në një intervistë për kp ka thënë se numri i fëmijëve me nevoja të veçanta nuk është i vogël dhe se hapja e një qendre të tillë e cila ofron shërbime ditore për këta fëmijë është e mirëseardhur dhe e nevojshme për Komunën e Klinës.

Gashi: Kjo Qendër do të ofrojë trajtime ditore për fëmijët me autizëm

“Kjo qendër do të ofrojë trajtime ditore për fëmijët me autizëm, sindromën Doën dhe çrregullime tjera. Seanca psikologjike, takime konsultuese me prindër edhe takime lehtësuese me prindërit. Po ashtu, do të ketë  edhe takime grupore të grup moshave më të rritura të cilët janë në gjendje të punojnë në takime grupore”, ka bërë të ditur ajo.

Sipas saj, Qendra e Kujdesit Ditor do të ndikojë pozitivisht tek grupet e margjinalizuara të popullatës duke i përkrahur së pari familjet për trajtimin e fëmijëve të tyre dhe së dyti duke i vetëdijesuar popullatën në përgjithësi se edhe ata fëmijë janë të barabartë dhe kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje.

Gashi: Kjo Qendër ka qenë e nevojshme edhe për Komunën e Klinës

“Faktikisht kjo Qendër ka qenë e nevojshme edhe për Komunën e Klinës, por edhe për komunat fqinje pasi që kemi kërkesa edhe nga Istogu dhe nga Skenderaj, që t'i sjellin fëmijët këtu dhe t'i trajtojnë në Qendrën e kujdesit ditor në Klinë. Shpresojmë që do të kemi përkrahje edhe nga akterët e tjerë, pasi që kemi marrë paraprakisht konfirmimin me fjalë, por po presim realitet me sjellë pajisje tjera të reja që i duhen Qendrës”, ka thënë ajo.

Gashi tha se përmes aktiviteteve në qendër synohet të ngritët vetëdija e popullatës së përgjithshme për trajtimin e fëmijëve të tyre, duke promovuar vlerat e të drejtave shëndetësore në mesin e popullatës.

Stafi i kësaj qendre, sipas drejtoreshës Gashi është trajnuar me qëllim për të ofruar shërbime sa më kualitative për të gjithë fëmijët.

Gashi: Trajnimi i stafit adekuat i cili është pranuar si psikolog klinik

“Regjistrimet në Qendër edhe trajnimi i stafit adekuat i cili është pranuar si psikolog klinik, psikolog të zakonshëm, logoped dhe pedagog  social, veçse e kanë kryer trajnimin dhe janë të gatshëm për të punuar. Stafi është gjithsej 6 me gjithë menaxherin që do të ofrojnë shërbime, po ashtu në kuadër të stafit kemi edhe vullnetarët të cilët do të asistojnë gjatë punës me fëmijët tek psikologu, logopedi dhe pedagogu social”, ka thënë Gashi.

Edhe infrastruktura e kësaj Qendre, sipas drejtoreshës është adekuate që i përshtatet nevojave të këtyre fëmijëve.

Gashi: Një Qendër që i përgjigjet kushteve që të punojmë me fëmijët me autizëm

“Jemi munduar që të bëjmë taman një Qendër që i përgjigjet rrethanave dhe kushteve që të punojmë me fëmijët me autizëm, sindromën Doën dhe çrregullime të tjera. Për momentin kushtet janë të mira, por jemi në pritje edhe të një kontingjenti nga dy KFOR-et me u kompletua Qendra e kujdesit ditor”, ka thënë ajo.

Qendra e Kujdesit Ditor në Komunën e Klinës është financuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku kjo ministri ka ndarë 7 mijë euro për 6 muaj, po ashtu është ndihmuar edhe nga Kuvendi Komunal i Komunës së Klinës, si dhe nga biznese të ndryshme të kësaj komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat