Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në mbledhjen e stome të bordit të drejtorëve ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive komunale që të angazhohen maksimalisht për realizimin e detyrave që parashtrohen para tyre dhe për ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe cilësore ndaj qytetarëve të komunës që i kërkojnë ato.
Në këtë takim kryetari Bahtiri kërkoi nga drejtorët që me kohë ti dorëzojnë në drejtorinë e Financave faturat për pagesë dhe që deri në fund të tetorit të përgatitet raporti për shumën e borxheve totale që ka komuna ndaj institucioneve dhe operatorëve, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, kryetari Bahtiri kërkoi nga drejtorët që menjëherë të kompletojnë dokumentet për përfundimin e procesit lidhur me Rregulloren 01/2012 për taksat, gjobat dhe tarifat komunale.
Përveç kësaj, në takim u fol edhe për aktivitetet dhe masat që duhet të ndërmarrën ndaj pronarëve të kioskave të vendosura dhe që punojnë pa leje të organeve kompetente.
U tha se duhet të shikohet veç e veç secili rast i vendosjes së funksionimit të këtyre kioskave dhe pastaj në bazë të gjendjes faktike të vendosen masa adekuate.
Në mbledhjen e sotme bordi i drejtorëve shqyrtoi edhe disa çështje me rëndësi nga fushëveprimi i vet.