Vazhdimi i Kalifatit, Tërnava i do edhe 5 vjet në krye të BIK’ut

Kosova

Vazhdimi i Kalifatit, Tërnava i do edhe 5 vjet në krye të BIK’ut

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 19:19
Myftiu Naim Tërnava

Myftiu Naim Tërnava ka vendosur ta kërkojë edhe një mandat për të udhëhequr me Bashkësinë Islame të Kosovës, në zgjedhjet që mbahen brenda këtij muaji. Më 2013, Tërnava, mandatin e tretë, e kishte marrë në stilin e autokratëve lindorë duke i eliminuar pengesat statuare, për ta vazhduar pushtetin personal mbi këtë institucion. Gjatë 5 vjetëve, të cilat i ikën shpejt, shefi i BIK’ut, nuk ka përmbushur asnjë premtim që u kishte bërë besimtarëve të cilat i kishte shpalosur sapo ishte konfirmuar Myfti.  Zyrtarë të këtij institucioni fetar kanë deklaruar për Express dhe Televizionin T7 se aktualisht kundër Tërnavës nuk ka ndonjë kundërkandidat.

Shumëkush ka dyshime për mënyrën se si Naim Tërnava ka udhëhequr ndër vite me BIK’un.  Por, ai nuk ka asnjë dilemë se duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të institucionit që rregullon jetën fetare të bashkësisë më të madhe religjioze në vend- myslianëve. 

Gjatë këtij muaji, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), do të mbajë zgjedhjet për Kuvend të saj dhe Kryetar të Kryesisë (Myfti) të Kosovës. Që nga viti 2003, këtë pozitë  është Naim Tërnava.  Herën e fundit është zgjedhur më 2013, me anë të një veprimi kontrovers, duke ndryshuar statutin e BIK, që ia ka mundësuar mandatin e tretë dhe një rehati 5 vjecare në krye të këtij institucioni

Kandidaturën e Naim Tërnavës e ka konfirmuar, Sekretari i BIK, Resul Rexhepi, i cili për T7 ka thënë se aktualisht s’ka asnjë kundërkandiat ndaj Myftiut.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në shtator të këtij viti ka shpallur zgjedhjet për Kuvendin e BIK’ut dhe për Kryetarë të Kryesisë (Myftiut) për periudhën e ardhshme pesëvjeçare (2018-2023).

Duke mos u mjaftuar me kaq vite të udhëheqjes, Tërnava po synon ta marrë edhe një mandat në Bashkësinë Islame, duke kandiduar edhe në zgjedhjet që do të mbahen brenda dhjetë ditësh.

Por, ata nuk kanë dhënë shumë detaje rreth këtyre zgjedhjeve, duke mos e treguar kështu datën e saktë të mbajtjes së zgjedhjeve.

Pesë vjet më parë Tërnva kishte thënë se këtë pozitë do ta shfrytëzojë sa më mirë për t’i plotësuar kërkesat dhe nevojat e xhematit kosovarë.

Kishte premtuar futjen e lëndës fetare nëpër shkolla, ndarjen e buxhetit nga shteti për bashkësitë fetare, lejimin e shamive nëpër shkolla dhe ndërtimin e xhamisë qendore në Prishtinë. Gjysmë dekade më vonë secili besimtarë që i shkon pas Tërnavës mund ta konstatojë se asnjëra nga këto premtime nuk janë mbajtur.

Tërnava më shumë do të mbahet mend për jetën luksoze të familjarëve të tij, deklaratat se Erdogani është profet, dhe për lartësimin e sulltanëve që dikur ishin pushtues të këtyre trojeve.

Teologu Xhabir Hamiti ka thënë për Express se BIK’u që nga viti 2013, kur edhe u ndërrua statuti i brendshëm i zgjedhjeve, duke e larguar kufizimin i cili sanksiononte mundësinë e rikandidimit të kryetarit të Kryesisë për më tepër se dy mandate, nuk ka mbetur më asgjë për t’u diskutuar

“BIK’u që moti e ka mbyllur derën e zgjedhjeve dhe zgjidhjes së problemeve brenda saj. Që nga viti 2013,kur përmes puçit pretendentët e sotëm ndërruan statutin e brendshëm të zgjedhjeve, duke e larguar  kufizimin e mëhershëm i cili sanksiononte mundësinë e rikandidimit të kryetarit te Kryesisë për më tepër se dy mandate, aty më nuk ka mbetur asgjë atraktive dhe aq më pak interesante për t’u diskutuar ose  për të zgjuar kurreshtjen se çfarë është duke ndodhur brenda mureve të  këtij institucioni të uzurpuar nga një grup i caktuar i lidhur ngushtë për interesa të ngushta personale”, ka thënë Hamiti.

Ai  thotë se lidershipi i BIK’ut, dekada me radhë nuk e përfaqëson votën dhe shumicën e të punësuarve të saj, e aq më pak komunitetin e përgjithshëm të besimtarëve mysliman në Kosovë. Sipas Hamitit, mbi 20 për qind e trupit zgjedhor janë individë të njejtë, të cilët tash e 20 vite votojnë për të njëjtin person, grup ky i cili sipas tij sillet rreth tij (Tërnavës).

“Lidershipi i  sotëm i BIK-së i cili trumbeton se është i zgjedhur, nuk përfaqëson as 5% të nëpunësve  aktual të cilët punojnë në institucionet dhe organet  e këtij organizimi fetar. Nga përafërsisht numrit total  prej 1700 vetave, që aktualisht llogariten si kuadro të BIK’ut, në mesin e tyre imamë, arsimtarë, profesorë, punëtorë teknik etj, vetëm 57-60 prej tyre marrin pjesë në ngritjen e dorës së tyre për kandidatin- myfti. Ndërsa  në anën tjetër, edhe nëse e marrim në konsideratë  gjithë numrin  total të anëtarëve të Këshillave të B.Islame, të cilët shtrihen  në gjithë qytetet dhe qytezat e Kosovës, po ashtu nuk kalon më shumë se 260 veta, të cilët paraprakisht zgjedhen dhe përcaktohen përmes intereferimit dhe nominimit final të drejtpërdrejtë nga vet ky lidership i Kryesisë së BIK’ut” thekson ai.

“Mirëpo, edhe nëse hipotetikisht themi, se ky numër total prej 260-270 merr pjesë në propozimin e kandidatit për myfti të ardhshëm, prapë se prapë edhe ky  është numër  minor  dhe simbolik, ngase përbënë jo më shumë se  13% nga numrit total i gjithë të punësuarve brenda institucionit të BIK’ut” shton ai.

Hamiti, një kritik i rreptë prej vitesh i Myftiut, më 2013, ishte shkarkuar nga posti i kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame, ku ishte zgjedhur Ajni Sinani.

Në këtë Kuvend ishte zgjedhur edhe Naim Tërnava pasi kishte bindur delegatët afër tij ta ndryshojnë nenin 49, paragrafin e dytë i Kushtetutës në të cilin thuhej “Kryetari i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate”.

Pikërisht kjo, Myftiut të Kosovës, i kishte dhënë mundësinë që të vazhdojë të udhëheq rreth 800 xhami në Kosovë.

E Hamiti ndërkaq vazhdon t’i përsërisë thirrjet që udhëheqja e deritashme e BIK’ut të tërhiqet.

Ai ka akuzuar Tërnavën se ka bërë biznes. “Që nga koha e pasluftës përveç ndërtimit të xhamive përmes së cilave dyshohet se është bërë edhe biznes nuk ka asnjë hap konkret i cili është bërë në parandalimin dhe unifikimin e interpretimit fetar islam në rrethana të vendit dhe kohës. Si kurrë më parë në vendin tonë është instaluar një  version i interpretimit fetar  i rrezikshëm për vet Islamin si fe dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi”, është shprehur Hamiti./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat