Opozita kundër ndryshimit të ligjit për automjetet

Kosova

Opozita kundër ndryshimit të ligjit për automjetet

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 13:08
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal miratoi sot raportin me rekomandime për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete, pavarësisht se deputetët e opozitës Mimoza Kusari-Lila, Dardan Sejdiu dhe Hykmete Bajrami kanë bojkotuar mbledhjen.

Një veprim i tillë i tyre u bë në shenjë kundërshtimi ndaj raportit me rekomandime për Projektligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se një projektligj i tillë rrezikon mjedisin në Kosovë, andaj si tillë nuk e votojnë.

Lila: Nuk e votojmë këtë projektligj

“Duke marr parasysh kundërshtimet dhe ndikimet negative që ky projektligj sjell për mjedisin, gjithashtu edhe kundërshtitë e mëdha të cilat janë në përgjithësi të asociuara nga të gjitha palët e interesit për një mjedis të mirëfilltë në Kosovë, dhe me rreziqet që ia sjell ky projektligj Kosovës dhe mjedisit në Kosovë ne tre përfaqësuesit e opozitës nuk qëndrojmë në takim për votim që të bëjmë kuorumin kur votohet ky projektligj”, u shpreh ajo.

Sjellja e deputetëve të opozitës nuk iu pëlqeu aspak anëtarëve të tjerë të këtij komisioni që i takon pozitës, duke thënë se po deputet po bëjnë skena teatrale.

Anëtari i komisionit për Zhvillim Ekonomik nga PDK-ja, Memli Krasniqi largimin e anëtarëve nga mbledhja e ka konsideruar si qesharake. Ai tha se ish-ministret e  Tregtisë, duke aluduar në Mimoza Kusari-Lilën dhe Hykmete Bajramin, po e duan ambientin pasi kanë dal në opozitë.

Krasniqi: Kjo sjellje është qesharake

“Kjo është më shumë se qesharake kjo performancë e dobët realisht teatrale e cila nuk ka të bëjë me përfaqësimin e interesave qytetar, në fund të fundit grupi punues ka pasur përfaqësues të opozitës, këta që e lëshuan sallën janë anëtar të grupit punues shumica edhe i kanë dhënë mendimet  e veta, shumica e propozimeve të tyre janë të miratuara tek e fundit kjo është një çështje e cila sot votohet, nesër nuk votohet nuk mundet me e gënjyer opinionin publik asnjëri prej këtyre tre përfaqësuesve të opozitës me tregua që ata e kanë ambientin ma shumë se sa ne, sepse i ki dy ish-ministre të Tregtisë le të tregojnë çka kanë bërë për ambientin, por u paska ra në mend kur kanë dal në opozitë me e dashtë mjedisin në Kosovë“, ka thënë Krasniqi.

Sjellje hipokrite e ka konsideruar veprimin e deputetëve të opozitës edhe anëtari tjetër, Muharrem Nitaj.

Nitaj: Kjo sjellje më së paku është hipokrizi

“Kusari-Lila rrallë ka ardhur nuk mbaj mend se ka qenë ndonjëherë sido çoftë opozita ka qenë dendur e përfshirë në grupin punues, po iu kujtoj se Lutfi Zharku e ka propozuar një amendament bukur problematik i cili po na shkakton telashe në opinion publik sot për liberalizimin e kontrolleve teknike në Republikën e Kosovës. Logjika që të votohet në komision ligjit dhe më pastaj të bojkotohet seanca ku shqyrtohen raportet e rekomandimeve për projektligjin, por më së paku është hipokrizi”, tha Nitaj.

Këtë veprim të deputetëve të opozitës e ka kundërshtuar edhe kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha Shala duke thënë se ikja e opozitës tregon se janë opozitë brenda partive të tyre.

Shala: Kjo ikje a është opozitë karshi mazhorancës apo opozitë brenda partive të tyre

“Me ikjen e opozitës ose me skenën teatrale të opozitës në këtë rast mendimi jem personal është se nuk e di këta a janë opozitë karshi mazhorancës sot këtu, apo janë opozitë brenda partive të tyre. Ligji për derivatet e naftës në secilin mandat të këtyre dy deputeteve që kanë qenë ministre ka ardhur në Kuvend dy herë dhe është tërhequr nga Kuvendi, ne duhet ambientin ta godasim pozitivisht në pikën e duhur aty ku është vërtetë ndotja e ambientit tek cilësia e karburanteve të cilat futen në Kosovë“, u shpreh ajo.

Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal,  është miratuar raporti për Projektligjin për efiçiencë të energjisë si dhe me kërkesë të anëtarit nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj u  vendos që shqyrtimi i propozim- vendimit të Qeverisë për kandidatët për kryesues që Bordit të ZRRE-së të hiqet nga rendi i ditës dhe t’i kthehet prapa qeverisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat