OAK kërkon që Ligji për investime strategjike të bëhet më efektiv

Kosova

OAK kërkon që Ligji për investime strategjike të bëhet më efektiv

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 13:37
Foto

Me ligjin aktual, TVSH- ja dhe pushimi i lehonisë është në dëm të jashtëzakonshëm të biznesit.

Kështu u tha në takimin e organizuar sot nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ku morën pjesë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ministri i MPMS Skender Reçica dhe bizneset.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se është momenti i fundit për bërjen e politikave të qarta për zhvillimin ekonomik dhe se krijimi i vendeve të punës dhe ruajtja e tyre duhet të jenë prioritet.

“Mungesa e vetëdijes dhe dashurisë për këtë vend shpesh herë ka krijuar pa barazi në treg. Në kemi filluar me disa ndryshime të politikave fiskale, por që nuk janë ende të mjaftueshme”, theksoi Limaj, duke shtuar se Kosovës i duhet prodhimi vendor.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica theksoi se MPMS po ballafaqohet me një shqetësim për papunësinë që është rreth 30 për qind.

“Problemi i papunësisë është problem i më hershëm. Megjithatë po punohet shumë që të rinjtë dhe të rejat të aftësohen profesionalisht për një punësim më të shpejtë. Një risi tjetër është ndryshimi i projektligjit për lehonat”, tha Reçica.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka thënë se duke marrë parasysh përvojën e shteteve të tjera, OAK ka përgatitur një propozim që TVSH të paguhet në inkasim ose pasi të paguhet fatura nga obliguesi dhe se pagesën e lehonisë duhet ta marrë përsipër 100 për qind shteti.

Ai ngriti edhe çështjen e punësimit dhe mirëqenies sociale në Kosovë, duke përmendur faktin se në Kosovë punësimi këtë vit ka shënuar rënie.

Kreu i OAK-ut ka rekomanduar Qeverinë që Ligji për investime strategjike të bëhet më efektiv, pasi aktualisht nuk është duke dhënë rezultate.

Ndërsa, Hamdi Malushaj, biznesmen, ngriti çështjen e mungesës së kuadrove të kualifikuar dhe ngritjen e pagave në sektorin publik, që sipas tij, sektori privat nuk është tërheqës as nga të rinjtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat