Dy dëshmitarë dëshmojnë në gjykimin për kontrabandim me emigrantë

Kosova

Dy dëshmitarë dëshmojnë në gjykimin për kontrabandim me emigrantë

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 00:07
Dy dëshmitarë dëshmojnë në gjykimin për kontrabandim me emigrantë

Muzafer Sejdiu e Besart Hasani nga Vitia si dhe Jahi Jahiu nga Gjilani po gjykohen në Gjykatën e Gjilanit për veprën penale krim i organizuar (pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal) në lidhje me veprën penale të kontrabandimit të emigrantëve.

Kryetari i trupit gjykues njoftoi se ndaj të akuzuarit Muzafer Sejdiut është veçuar procedura sepse për momentin është i pakapshëm për Policinë dhe nuk është arritur të sigurohet prania e tij në Gjykatë.

Sot para trupit gjykues të përbërë nga Agim Ademi kryetar, dhe Naser Maliqi dhe Zyhdi Haziri anëtarë, u dëgjuan dy dëshmitarët e Prokurorisë: Visar Avdiu dhe Bashkim Mustafa.

Visar Avdiu gjatë dëshmisë së tij u ballafaqua me pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihi rreth deklaratës së dhënë në Polici si dhe rreth mundësisë së kontaktit që kishte me Muzafer Sejdiun para se të nisej dhe të largohej nga Kosova.

Ai deklaroi se është e vërtetë se para pesë viteve ka dhënë deklaratë në Polici, është e vërtetë se ka tentuar që të dalë në Gjermani, për shkaqe ekonomike.

“Së pari kam shkuar në Shkup ku jam takuar me disa njerëz të tjerë të nacionalitetit serb. Por para se të shkoj në Shkup nuk kam pasë kontakte me njerëz të tjerë, përveç paraprakisht jam takuar me komshiun tim Muzafer Sejdiu dhe ai më ka thënë se ata serbët të qesin për në Shkup”, tha ai.

Prokurorja më tej e ballafaqoi me nënshkrimin dhe deklaratën e tij të dhënë në Polici. Në këtë deklaratë dëshmitari Visar Avdiu kishte thënë se: “ Kam qenë i interesuar të shkoj jashtë Kosovës për në Gjermani, për të punuar dhe duke bisedu me fqinjin tim Muzafer Sejdiu, ky më ka thënë se e kishte një shok të tij me emrin Jahi nga Zhegra, i cili mund të të dërgojë në Francë”.

Ai më tej i pranoi edhe të gjitha fjalët që i kishte dhënë në deklaratën në Polici, duke i pohuar vazhdimisht se janë të vërteta.

Në pyetjet e avokatit Ymer Huruglica nëse i ka dhënë para Jahiut, se a ka kontaktuar me Jahiun pasi është kthyer dhe nëse e dinte se a i ka dhenë prindi i tij para Jahiut, dëshmitari tha se nuk i ka dhënë para atij.

“Pasi jam kthyer nga Greqia në Maqedoni dhe në Kosovë, nuk jam takuar me Jahiun. Kam biseduar me babanë dhe jam i sigurt që nuk i ka paguar para Jahiut”, u përgjigj dëshmitari Visar Avdiu.

Në pyetjen e anëtarëve të trupit gjykues lidhur me atë se si i është dukur personi me emrin Jahi, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

I ballafaquar nga trupi gjykues me pjesën e deklaratës së dhënë në Polici, ku thotë: “Pasi jemi kthyer kemi kontaktuar me Jahiun të cilit i kemi kërkuar para, që i kishim shpenzuar në Greqi dhe Maqedoni, por nuk na është përgjigjur me asgjë”, dëshmitari u përgjigj duke pohuar se është e vërtetë, por që paratë ia kërkuar babai për shpenzimet që i kemi bërë në burg.

Më tej, dëshminë e ka dhënë dëshmitari Bashkim Mustafa.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin rreth vëllait të tij, Bekimit, nëse ai kishte tentuar të dilte jashtë Kosovës dhe a e dinte si ka dalë.

Me këtë rast, dëshmitari tha se është e vërtetë se vëllai i tij diku në vitin 2013 kishte për qëllim të dilte jashtë shtetit dhe se atë e kishte sjellë në Gjilan.

“Pastaj, diku pas 4 apo 5 ditëve kam takuar një person i cili më ka njoftu se vëllai ka dalë në Zvicër. Këtë person nuk e kam parë kurrë dhe më parë s’e kam njohur”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurores Habibe Salihi se a ke njohur dhe biseduar paraprakisht me fqinjin tënd, Myzafer Sejdiun, për këtë rast.

“Muzafer Sejdiun e kam vendas dhe për shkuarjen e vëllait tim jashtë nuk kam biseduar me të. E vëllai nuk e di a ka bisedu me të”, tha Bashkim Mustafa.

Kur prokuroja e rastit e ballafaqoi me deklaratën e dhënë  në Polici, dëshmitari u përgjigj duke thënë se “ndoshta paskam biseduar me Muzaferin por nuk po më kujtohet”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Muzafer Sejdiu dhe Besart Hasani prej marsit të vitit 2013 deri në mars të vitit 2014, kanë vepruar si grup i cili ka organizuar kontrabandimin e emigrantëve për në Zvicër.

Grupi përfshinte individë me banim në Zvicër të njohur si “Nijazi” dhe “Puka”, të cilët drejtonin aktivitetet e kontrabandimit të emigrantëve.

Kështu këta dy persona kishin marrë pjesë aktive në këtë grup, njëri duke rregulluar dokumentet e falsifikuara që janë përdorur nga emigrantët dhe tjetri duke prodhuar dokumente fals për t’u përdorur nga emigrantët e kontrabanduar.

Të dy këta e kanë bërë këtë me qëllim të përfitimit financiar.

Kurse, Muzafer Sejdiu dhe Jahi Jahiu prej prillit të vitit 2013 e deri në mars të vitit 2014, kanë organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal, i cili përfshinte ata vetë, një shtetas maqedonas të quajtur “Pavle” dhe persona të tjerë të panjohur.

Grupi i organizuar në këmbim të pagesës financiare,  ka organizuar kontrabandimin e emigrantëve nga Kosova përmes Serbisë për në Hungari dhe nga Kosova përmes Maqedonisë për në Greqi.

Seanca u ndërpre ngase prokurorja e rastit kishte angazhime të tjera e trupi gjykues mori aktvendim me të cilën njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 21 nëntor. /kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat