Limaj: Kosova ka nevojë shumë për diasporën- ejani, investoni!

Kosova

Limaj: Kosova ka nevojë shumë për diasporën- ejani, investoni!

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 16:36
Në hapjen e “Javës me bizneset e diasporës shqiptare”

Rreth 300 biznese nga diaspora të vendeve të ndryshme të botës sot morën pjesë në hapjen e “Javës me bizneset e diasporës shqiptare”, aktivitet ky i cili organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano – Kosovare, me qëllim që të inkurajon edhe më tej afarsitët nga diapsora për të investuar në Kosovë.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi ka thënë se promotor i zhvillimit ekonomik është diaspora me dërgesa prej rreth 1 miliardë euro në vit, por kërkoi që të thellohet edhe më tej ky bashkëpunim edhe në fushën e investimeve.

Ai ka ftuar afaristët nga diaspora që të bëhen pjesë edhe e  procesit të privatizimit në Kosovës.

Gashi: Motori real i zhvillimit ekonomik të vendit tonë jeni ju diaspora

“Pas pavarësimit të Kosovës kemi menduar se investimet direkte të huaja do jenë motori i zhvillimit ekonomik të vendit tonë, me kohë e kemi parë se motori real i zhvillimit ekonomik të vendit tonë jeni ju diaspora, bizneset e huaja por edhe remitencat që ju i dërgoni. 1 miliardë euro i marrim nga remitancat nga ju plus investimet kryesore vijnë nga ju në kuptim të investimeve direkte në Kosovë. Qëllimi i këtij takimi edhe sot edhe shumë takime që kemi pasur bashkë është që si të thellohet ky bashkëpunim, që të përmirësohet ky bashkëpunim. Për shembull ne iu ftojmë këtu që të merrni pjesë edhe në procesin e privatizimit”, theksoi Gashi.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se Kosova dhe shteti i saj e ka një sfidë të madhe, dhe ky vend ka nevojë për afaristët e diasporës.

Limaj ka ftuar bizneset e diasporës që investojnë në Kosovë, sepse sipas tij, ka mundësi të jashtëzakonshme për të investuar dhe për të fituar.

Limaj: Ne kemi shumë nevojë për diasporën

“Ne nuk po kërkojmë ato ndihma që i keni dhënë dikur për Kosovën. Ne sot po kërkojmë, që ejani, jetoni, punoni në këtë vend tuaj. Gjeni mundësinë dhe interesat. Ajo çka ne po ju ftojmë është, ejani shikoni interesat tuaja këtu. A ka gjë më mirë se sa me i shërbyer vendit tendë, duke fituar. Ne kemi nevojë shumë për juve. Ne identifikohemi me sukseset e juaja në diasporë”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se Kosova ka plotësuar gjithë infrastrukturën e përgjithshme që ofrojnë kushte për investime.

Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të korrigjohet, por do të hapet- për njerëzit dhe bizneset.

Në hapje të aktivitetit “Java me bizneset e diasporës”, Majko ka vlerësuar se shqiptarët janë në ditët më të mira si komb, sepse është kaluar nga mbijetesa në normalitet.

Majko: Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të korrigjohet

“Ne shqiptarët jemi kudo njëlloj, pjesën më të madhe të asaj që e quajmë konkluzione e realizojmë tek kafja, tek dreka, tek darka. Sinqerisht, duke bërë pak humor, nuk kisha ndërmend të vija në këtë takim në qoftë se delegacioni që u drejtua nga zoti Limaj para disa ditësh në Tiranë ndau përfundimisht që kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të korrigjohet por do të hapet për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve”, ka thënë Majko.

Ndërsa, njëri ndër afaristë më të suksesshëm shqiptar, Lazim Destani kryetar i Nderit i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, duke kërkuar lehtësira dhe eliminimin e barrierave për investime ka thënë se është e nevojshme të krijohet një Odë Ekonomike e Diasporës në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi për të qenë më afër investitorëve nga diaspora.

Destani: Kërkojmë nga institucionet të kthejnë kokën nga diaspora

“Kisha një porosi për qeveritë tona apo institucionet e caktuara për lëmi të ndryshme të mendojmë pak më shumë, të caktojnë njerëz të cilët  kuptojnë anën e biznesit apo ekonomisë për të pasur dhe fituar një besim më të madh i biznesmenëve të diasporës”, theksoi Destani.

Sytrime Dervisholli nga MTI ka prezantuar manualin për investuar dhe klimën e të bërit biznes në Kosovë. Endrit Pllashniku nga Riinvest ka prezantuar një analizë për mundësitë dhe sektorët me potencialet për investime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat