Lenjani pyet Thaçin: A është ideja të bashkohet Lugina me Kosovën, a Karaçeva me Serbinë

Kosova

Lenjani pyet Thaçin: A është ideja të bashkohet Lugina me Kosovën, a Karaçeva me Serbinë

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 19:56
Pamje nga Karaçeva

Edhe një herë nga Karaçeva vjen alarmi. Është Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, që kësaj here i ka shkruar letër të hapur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për siç ka thënë “tmerrin që po përjetojnë” banorët e kësaj zone të thellë kufitare me Serbinë.

Lenjani, në letrën e hapur drejt Thaçit, ka shkruar se vetëm gjysmë ore i ishin gëzuar idesë së tij për bashkimin e Luginës me Kosovën. Këtë iluzion ia kishte prishur patrullimi i forcave serbe thellë brenda këtij fshati të Kamenicës.

“Karaçeva praktikisht po kontrollohet nga shteti i Serbisë që d.m.th. mbi 26.000 hektarë tokë të Kosovës po bashkohen me Serbinë. Mbi 170 pronarë tokash po i humbin livadhet dhe arat e tyre dhe po ia merr Serbia. Tmerr!”, ka shkruar ndër të tjera Lenjani.

Ai ka pasur edhe një pyetje për Thaçin.

“A ishte Propozimi juaj për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën apo ishte Propozim për bashkimin e Karaçevës me Serbinë!?”, ka pyetur Lenjani.

“Tash ne si banorë të kësaj ane jemi në hall të madh dhe të zhgënjyer pa masë dhe jemi të bindur se hiç NUK është fija e Bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, por qysh po shihet, Karaçeva do t’i bashkohet Serbisë (mos ço Zot)! Ne jemi dëshmitarë dhe po i shohim për çdo ditë me sytë tanë këtu në terren se si serbët ‘i japin territor’ Kosovës”, ka thënë Lenjani, që letrën e mbyll me një ftesë drejt Thaçit për ta vizituar Karaçevën në një vikend, siç kishte bërë kohë më parë në Veri të vendit.

Letrën e plotë të Lenjanit mund ta lexoni më poshtë

Letër e hapur Presidentit të Kosoves, z. Hashim Thaçi

I nderuari President i Kosovës, Hashim Thaçi.

Jam Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, K.K Kamenicë.

Po ju drejtohem me këtë letër të hapur thjesht për t'ua parashtruar një preokupim të banoreve të kësaj ane qe s’po na lë të qetë, tash e 19 vite.

Fillimisht dua t'ju them se, ne, banorët e kësaj ane, që jemi në kufi me Luginën e Preshevës u gëzuam shumë kur e dëgjuam lajmin ose propozimin tuaj për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ky lajm na ktheu atë ditë në një ditë të madhe gëzimi jo vetëm për mua por për të gjithë banoret e Karaçevës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Mirëpo ky gëzim nuk zgjati as edhe një gjysmë ore, sepse nga ballkoni i shtëpisë sime në Karaçevë e pashë patrollën e Policisë serbe tek po patrullonin në arat dhe livadhet tona, brenda territorit të shtetit të Kosovës. Pra gëzimi ynë gjysmë-orësh u kthye menjëherë në zhgënjim dhe hidhërimin më të madh që po na zgjatë tash e 19 vite, neve si banorë të Karaçevës.

Tash z. President, banorët e kësaj ane po kërkojnë nga unë, si kryetar i Bashkësisë Lokale, që t'ju pyes se;

A ishte Propozimi juaj për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën apo ishte Propozim për bashkimin e Karaçevës me Serbinë!?

Tash ne si banorë të kësaj ane jemi në hall të madh dhe të zhgënjyer pa masë dhe jemi të bindur se hiç NUK është fija e Bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, por qysh po shihet, Karaçeva do t’i bashkohet Serbisë (mos ço Zot)!

Ne jemi dëshmitarë dhe po i shohim për çdo ditë me sytë tanë këtu në terren se si serbët “i japin territor” Kosovës.

z. President, Karaçeva (po ta shikojmë hollë e hollë), është rast shumë më i rënd sesa Veriu i Kosovës sepse në Veriun e Kosovës po patrullojnë Policia e Kosovës kurse në Karaçevë po patrullojnë Ushtria dhe Policia me uniforma të Serbisë! Tmerr! Për Policinë e Kosovës është e ndaluar në atë zonë të Karaçevës që të patrullojë. Vendlindja ime Karaçeva praktikisht po kontrollohet nga shteti i Serbisë që d.m.th. mbi 26.000 hektarë tokë të Kosovës po bashkohen me Serbinë. Mbi 170 pronarë tokash po i humbin livadhet dhe arat e tyre dhe po ia merr Serbia. Tmerr!

Banorët e kësaj ane me të drejtë NUK mund të besojnë se serbët mund t’ia japin Juve Luginën e Preshevës (që është territor juridikisht nën Serbi) përderisa Serbia po na e merr para syve tanë edhe Karaçevën me mbi 26.000 hektarë tokë që janë brenda hartës dhe territorit të Kosovës?!

Është utopi të besohet që serbet të jenë bërë aq të trullosur e debilë sa qe t'ia japin Juve Luginën e Preshevës pa i marrë hiç asgjë Kosovës, kur e gjithë bota i dinë fort mirë apetitet e mëdha të Serbisë ndaj territoreve të Kosovës.

President, amani ta kam, mos luani me ndjenjat tona dhe me gjakun e dëshmorëve, por ndaloje fillimisht Policinë dhe Ushtrinë e Serbisë që të na lë të qetë në tokat dhe shtëpitë tona brenda hartës së Kosovës e pastaj dalim edhe jashtë hartës së Kosovës sepse qysh po shihet sot për sot hiç nuk është fija e Bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën! President, para se ta bashkosh Luginën e Preshevës jepni urdhër Policisë së Kosovës që të patrullojë në brezin kufitar të Karaçevës e së paku mos të na humbin këto 26.000 hektarë tokë Kosovë, sepse boll ka humbur tokë Kosova historikisht, duke iu falur Serbisë e Malit të Zi…!

Për fund ju bëjmë Ftesë z.President i Kosovës që të vini për një vizitë vikendi edhe në Karaçevë dhe fillimisht ta bashkojmë Karaçevën me Kosovën e tek pastaj do ta bashkojmë jo vetëm Luginën e Preshevës por pse jo edhe Sanxhakun, Plavën e Gucinë, etj.. Step by step!- thonë anglezët...! Edhe Karaçeva është Kosovë dhe e meriton një vizitë nga Presidenti i Kosovës dhe jo vetëm Ujmani.

Me shpresë se kësaj letre të hapur do t’i jepni përgjigje pozitive, paraprakisht ju faleminderit...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat