Muhaxhiri: Themelimi i ushtrisë, etapë e kompletimit të idesë së shtetësisë - Bota Sot
Muhaxhiri: Themelimi i ushtrisë, etapë e kompletimit të idesë së shtetësisë

Kosova

Muhaxhiri: Themelimi i ushtrisë, etapë e kompletimit të idesë së shtetësisë

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 19:59
Artan Muhaxhiri

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka folur për votimin e djeshëm të tri projektligjeve nga Kuvendi me anë të të cilave pritet të bëhet transformimi i FSK-së në ushtri.

Muhaxhiri në Info Magazine ka thënë se ky është një akt simbolik, por edhe një hap i rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës.

“Kosova është vend ‘sui generis’ dhe, për fat të keq, etapat të cilat për vendet tjera janë historike dhe janë harruar, për ne po ndodhin sot”.

“Themelimi i ushtrisë është më shumë një akt simbolik, sepse ne në territorin tonë e kemi ushtrinë më të fortë në botë, NATO-n. Kosova në një mënyrë tashmë edhe është pjesë e NATO-s, është prezenca shumëkombëshe ushatarake e KFOR-it, po ashtu e kemi kampin Bondsteel, që është kampi i dytë më i madh i ushtrisë amerikane në Europë”.

“Realisht, mbase nuk do të kishte nevojë për ndonjë forcë tjetër ushtarake sepse nuk besoj se ndonjë vend rajonal është aq jonormal sa të tentojë të sulmojë Kosovën me të gjitha këto forca ndërkombëtare që i kemi aktualisht dhe të cilat do të jenë këtu edhe për një kohë të gjatë”.

Sipas Muhaxhirit, ky hap që është bërë në drejtim të shndërrimit të FSK-së në ushtri është bërë në harmoni me fuqitë e mëdha.

“Në aspektin simbolik, në aspektin e kompletimit të idesë së shtetësisë ky është hap shumë i rëndësishëm dhe është bërë në harmonizim mes fuqive të mëdha”.

“Vet fakti që për dallim nga tentimi i kaluar, kësaj here nuk kishte asnjë reagim negativ, asnjë reagim të ashpër, por përkundrazi, patëm edhe deklaratën  e Mathew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, i cili e miratoi këtë përballë Aleksandar Vuçiqit, është një indikacion se gjithë ky projekt është bërë në mënyrë të harmonizuar”.

“Edhe Serbia ka qenë e informuar për këtë, prandaj nuk mund të ketë ndonjë pengim të këtij procesi sepse nëse fuqitë e mëdha japin ‘aminin’, atëherë gjëja më normale është që kjo të realizohet”.

“Ky moment është shumë i rëndësishëm për Kosovën nëse shihet në kontekstin e disa ngjarjeve të tjera të mëdha, siç janë finalizimi i dialogut me Serbinë dhe projekti i liberalizimit të vizave”.

“Janë disa pika që po çojnë drejt definimit përfundimtar të idesë së shtetësisë së Kosovës – nëse Kosova krijon ushtrinë, nëse Kosova në një mënyrë pranohet nga Serbia, nëse Kosovës i liberalizohen vizat – atëherë ky do të mund të konsiderohet kompletim i idesë së shtetit të Kosovës”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat