Familja nga Podujeva së cilës i vdiq djali 2 muajsh akuzon mjekët për vonesa

Kosova

Familja nga Podujeva së cilës i vdiq djali 2 muajsh akuzon mjekët për vonesa

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 18:07
Familja nga Podujeva

Pas shtatë viteve martesë, Fitim Kadriu nga qyteti i Podujevës u bë baba i një djali të cilin e quajti Rian. Por, pas dy muajve jetë, foshnja i ndërroi jetë si pasojë e gjakderdhjes në tru. Fitimi po i akuzon mjekët e Emergjencës së Podujevës për mos ofrimin e ndihmës së duhur mjekësore në ditën kritike. Ai këtë rast e ka paraqitur në polici, odën e mjekëve si dhe në shoqatën e pacientëve.

Fitim Kadriu nga Podujeva ende e ruan një mbajtëse fëmijësh, të djalit 2 muajsh Rianit,  që i vdiq më 29  shtator në QKUK për shkak të gjakderdhjes në tru. Babai i Rianit të ndjerë sot i ka disa ankesa ndaj mjekëve kosovarë për vdekjen e të birit.  

Ai në një rrëfim për , ka shpjeguar rreth mënyrës së trajtimit të djalit të tij nga mjekët e Qendrës Mjekësore Familjare në Podujevë.Kadriu po i akuzon mjekët e Emergjencës së këtij qyteti për mos dhënien e ndihmës mjekësore si dhe për mos respektimin e obligimeve ndaj pacientit. 

Ai thotë se ekipi mjekësor i Emergjencës së Podujevës nuk ia ofroi atij veturën e autoambulancës për ta dërguar djalin e tij për në QKUK për trajtim. Ani pse, Fitimi deklaron se më datë 26 shtator të këtij viti kishte marrë udhëzimin e mjekut të Qendrës së Mjekësisë Familjare se rasti ishte emergjent dhe se menjëherë duhej dërguar për në QKUK.

Kadriu të hënën për media ka shpjeguar rreth ngjarjes.

“Djali më ka qajtë gjithë natën. Të nesërmen në mëngjes u drejtova në spital.  Doktoresha Eshrefe Begolli ia bëri djalit një kontroll. Si e kontrolloi tha që djali është shumë mirë. U kthyem në shtëpi. Por pas një kohe po e shohë që djalit iu keqësua gjendja. Pas kësaj u drejtova në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Aty e kontrolloi doktoresha Xhevë. Ajo si e pa, tha që djalin urgjent duhet ta dërgojmë për në QKUK. Unë e mora udhëzimin e mjekes dhe jam  drejtua në Emergjencë të Podujevës”, tregon Kadriu.

Pas asaj, ai thotë me me udhëzim emergjent u drejtua për në Emergjencën e QKMF’së në Podujevë. Por, aty, Kadriu thotë se u ballafaqua me pritje.

“Aty u takova me doktor Shyqri Osmanin. Ia tregova rastin dhe udhëzimin. Më tha a mundem me pa djalin. I thash që mjekja e kontrolloi. Ia afrova djalin. Nuk e kontrolloi vetëm ia lëshoi sytë. Unë prita aty  diku 10 minuta 15 dhe nuk mora përgjigje. Po hyjë në një dhomë tjetër dhe po e kërkojë shoferin. Ajo më tha nuk di”.

Emergjenda e Podujevës

Pas vonesave për sigurimin e autoambulancës për dërgimin e Rianit të vogël për në Emergjencë, prindi i tij, thotë se u detyrua që të bëjë zgjidhje vet.

“Ia mora udhëzimin dhe bëra zgjidhjen vet. E kam thirrë vllaun në telefon, ai ka ardhë diku pas 15 minutave , d.m.th. dikun 25 minuta unë kurrfarë përgjigje nuk kamë marrë. Unë me veturë private jam drejtuar drejtë QKUK’së. Rruga ishte kolonë dhe u detyrova që unë vet të dal në rrugë e me lujtë rolin e policit për t’ua bërë korridorin veturës për ta kaluar djalin”, rrëfen për vështirësitë me të cilat është ballafaquar për ta dërguar djalin në QKUK, ky banorë nga Podujeva.

Por, vonesa për trajtimin e këtij rast, deklarojnë të mos ketë pasur, mjekët e Emergjencës në Podujevë. 

Doktori i cili po akuzohet nga prindi i fëmijës për mos trajtim mjekësorë, Sheqir Osmani, i tha media, se pritjet nuk kanë qenë të mëdha dhe se prindi i fëmijës me vet dëshire e ka dërguar djalin e  tij me veturë personale në QKUK dhe nuk e ka pritur ambulancën.
“Dy deri në katër minuta ka qenë pritja. Një shofer atë natë ka qenë në ndërrim. Personi në fjalë nuk ka pritur për t’ia ofruar trajtimin mjekësor”, ka deklaruar mjeku i cili po akuzohet nga prindi i Rianit të ndjerë.

E zyrtarët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, po deklarojnë se janë duke i marrë deklaratat e gjithë stafit mjekësorë i cili ka qenë në ndërrim në ditën kur prindi i Rianit ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Bejtush Gashi, drejtor i QKMF’së i tha medias se pritjet për këtë rast janë në bazë të parametrave të lejuar për rastet emergjente.

“Ne nga babi i foshnjës jemi njoftuar përmes një ankese ku ai është ankuar gjoja se ka pasur vonim për transportimin e fëmijut në qendrën emergjente në Prishtinë.   Fëmiju më herët ka kërkuar ndihmë në qendrën familjare,. Doktoresha e ka udhëzuar prej qendrës emergjente të transportohet për në Prishtinë. Ne i kemi marrë përveç deklaratës së familjarit edhe personelin mjekësor që kanë qenë në ndërrim. Në bazë të analizave të deklaratave, prej momentit që është kontrolluar ai në mjekësinë familjare, pritjet sillen diku afro 15 minuta”, deklaroi Gashi për Express.

Rasti, nga prindi i foshnjës është raportuar edhe në policinë e rajonit të Podujevës. Komandanti i këtij stacioni, Bekim Bislimi, deklaroi se rasti është hetuar për mostrajtim adekuat shëndetësor.

“Në fillim të muajit tetor në stacionin policor është lajmëruar pala. Ankesa e tij ka të bëjë me mostrajtim adekuat  nga ana e Qendrës Mjekësore në Podujevë. Ne e kemi fillu një hetim preliminar në kuadër të stacionit policor në Podujevë dhe pas konsultave me prokurorin e shtetit, lënda ka vazhdu në drejtorinë përkatëse në regjionin e Prishtinës”, deklaroi ai.

E prindi i foshnjës thotë se këtë punë do ta dërgoj deri në fund. Ai për rastin është ankuar edhe në Odën e Mjekëve si dhe në Shoqatën e Pacientëve.

Rian Kadriu, i lindur më 17 gusht të këtij viti ka ndërruar jetë në QKUK, rreth dy muaj më vonë më 27 shtator si pasojë e gjakderdhjes në tru

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat