Radiologët e QKUK-së vlerësohen si më të mirët në botë

Kosova

Radiologët e QKUK-së vlerësohen si më të mirët në botë

Nga: Kushtrim Ymeri Më: 24 tetor 2018 Në ora: 20:52
Ilustrim

Radiologët në QKUK po vazhdojnë me zhvillimin e tyre të profesional çdo ditë e më shumë. Për këtë tregojnë edhe faktet e sotme ku përmes ultrazërit apo ultrazingullit arrijnë t'a dallojnë apendiksin me 5 ose 6 milimetra ndërsa nuk mund t'a dallojnë tumorin me 5 ose 6 centimetra. 

Kjo është një e arritur e madhe diagnostike në datatekën diagnostike superprofesionale mjekësore për të cilin kemi nderin dhe privilegjin t'a kemi në QKUK. 
Radiologët e QKUK-së dallohen botërisht për "profesionalizëm" ku gjatë leximit të CT-së kanë përshkruar edhe patologji kur nuk ka pasur patologji fare. Është përshkruar psh. Koleksion retroperitoneal djathtas ndërsa gjatë laparotomisë është hasur koleksioni majtas. Është përshkruar tromb i arteries mezenterike ndërsa gjatë operacionit nuk ka rezultuar te jetë ashtu. Është përshkruar tromb në arterien splenike ndërsa gjatë laparotomisë është hasur rupturë e shprektës. Kjo tregon që Radiologët tanë i dinë tepër mirë dallimin në mes të anës së majtë dhe të djathtë, trombit dhe gjakut apo lëngut dhe ndryshimeve tjera që hasen në leximin e CT-së.  Ka edhe shumë "saktësi profesionale" tjera gjatë leximit të CT-së por duhet të tregohemi pak modest sepse nëse i tregojmë të gjitha "saktësitë e tyre profesionale" atëherë druhemi se atyre do t'u rritet mendja dhe do të mendojnë se janë "mbreti dhe mbretresha" e QKUK-së dhe kjo pastaj do të ndikonte negativisht në shëndetin e tyre të gjithëmbarshëm prandaj ne nuk dëshirojmë të jemi shkaktarë të dëmtimit të askujt, iu dëshirojmë këndellje të gjithëve.
Poashtu ka të dhëna faktike ku Radiologët kanë refuzuar realizimin e CT-së për pacienta të ndryshëm me arsyetimin kinse biokimisë jo normale të pacientit ndërsa të njejtit pacient me po atë biokimi ia kanë realizuar CT-në në objektin e tyre privat. Kjo tregon edhe një aftësi të tyre "nuhatja e lekut" dhe pastaj ngrënja e "popkekut profesional".

Aftësia e tyre diagnostike nuk ka të ndalur, ata përmes Ultrazërit,rentgenit dhe CT-së po arrijnë të kenë njohuri edhe se çka ka ngrënë pacienti, a ka ngrënë gjellë me fasule apo patate? A ka pasur qime në gjellërat e ngrëna apo jo? A ka ngrënë pacienti mish viçi apo mish hiçi? A ka pirë ujë mineral apo lëng portokalli?

Këto aftësi të jashtëzakonshme ose mund të themi lirisht "aftësi jashtëtoksore" gjenden vetëm tek Radiologët e QKUK-së dhe "sipas të dhënave" që i kemi këto aftësi tanimë janë zhdukur edhe në planetet tjera. 

Duhet të kemi respekt të madh për Radiologët e QKUK-së sepse konsiderojmë që këta janë e ardhmja e Radiologjisë botërore dhe besojmë fuqishëm se do të jenë edhe e ardhmja e Radiologjisë së tërë Gjithësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat