Futbollistët e klubit "Bardhosh Gërvalla" nderojnë me homazhe heroin e tyre

Kosova

Futbollistët e klubit "Bardhosh Gërvalla" nderojnë me homazhe heroin e tyre

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 21:06
Ekipi i klubit futbollistik "Bardhosh Gërvalla", nga Gjermania, ka vizituar kompleksin memorial të heronjve në Dubovik të Deçanit

Ekipi i klubit futbollistik "Bardhosh Gërvalla", nga Gjermania, ka vizituar kompleksin memorial të heronjve në Dubovik të Deçanit , ku kanë bërë homazhe te varri i heroit, emrin e të cilit e mban klubi i tyre.

Ata po ashtu kanë vizituar edhe kompleksin "Dëshmorët e Kombit" në Gllogjan.  

Këto homazhe i kanë bërë së bashku më kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosajn, në kuadër të vizitës së tyre tri ditore në Kosovë. 

Ramosaj tha se ky klub, i cili mban emrin e njërit prej heronjve kombëtar, do të zhvillojnë një ndeshje miqësore në Kosovë, e me këtë rast kanë shprehur dëshirë ta vizitojnë varrin e heroit, emrin e të cilit e mban klubi i tyre.  

 Ramosaj: Emri i Bardhosh Gërvallës është bërë edhe sinonim i sukseseve sportive

"Iniciativa dhe dëshira ka qenë e tyre që me vizitu Deçanin, me siguri për shkak të rëndësisë së emrit që e mbajnë, për shkak edhe të varrit të Bardhosh Gërvallës që është në Dubovik, që i takon territorit të komunës së Deçanit dhe është një nderim që këta e kanë nderu atë emër, dhe jo vetëm që e kanë nderu, po e kanë bërë tashmë sinonim të sukseseve sportive", tha Ramosaj. 

Ai po ashtu u shpreh i lumtur për suksesin e klubit dhe këto këmbime të vizitave mes të rinjve i cilësoi si të domosdoshme.

Ramosaj: Ky bashkëpunim është i domosdoshëm

 

"Po vlerësoj që është një bashkëpunim i domosdoshëm këmbimi i këtyre vizitave për shkak edhe të shkëmbimit të përvojave, mirëpo, që e ka një rëndësi të veçantë kur e përkujtojmë njerëzit të cilët janë angazhuar që me organizu edhe diasporën edhe jetën këtu dhe diasporë. Na gëzon fakti kur i kemi klubet të cilat janë të suksesshme sidomos në shtetet evropiane, në arenën ndërkombëtare sikur ky klub që është i organizuar", tha Ramosaj.  

Ndërsa trajneri i klubit "Bardhosh Gërvalla", Bedrush Nezaj, tha se klubi" është themeluar qysh në vitin 1992, ndërsa në vitin 2014 kanë formuar edhe klubin e futbollit. 

Ai tha se themeluesit e këtij klubi dhanë gjithçka për ta ndihmuar dhe bashkuar rininë, dhe u shpreh i lumtur që rinia shqiptare në Gjermani po interesohet për rrënjët e veta.

Nezaj: Janë shumë të interesuar ta njohin historinë

"Është diçka e veçantë që kanë ardhë në këto vende dhe t'i shohin, të dinë për historinë, janë shumë të interesuar, po fatbardhësisht më të interesuar janë rinia dhe për atë duhet të jemi të kënaqur se janë rritë atje, mirëpo prapë së prapë nuk duan t'i humbin traditat dhe kanë shumë dëshirë me ditë komplet rrethanat, m'u informu që kur të takohen me komunitetet tjera, me pas njohuri, të paktën me njoftë historinë e vet", tha Nezaj.  

Kurse trajneri i klubit të futbollit "Deçani", njëherësh zyrtar i sportit në këtë komunë, Avni Rexhaj, tha se një vizitë e tyre prej klubit shqiptar, i ka nderuar.

Ai po ashtu njoftoi se tashmë do të nisin edhe bashkëpunime mes klubit "Bardhosh Gërvalla" dhe atij "Deçani". 

Rexhaj: Nga sot do ta rrisim bashkëpunimin mes dy klubeve

"Që nga dita e sotme do të kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe shumë të sinqertë mes dy klubeve dhe do të shkëmbejmë lojëra reciproke mes dy ekipeve", ka thënë Rexhaj. 

Gjatë ditës së sotme, ky klub do ta vizitojë edhe qendrën e Deçanit, dhe gjatë një darke të organizuar nga komuna, kryetari Bashkim Ramosaj ka njoftuar se do t'iu ndajë mirënjohje. 

Përndryshe, ky klub është shpallur fitues i Kupës së Diasporës, dhe nesër do të luajnë një ndeshjen me klubin futbollistik "Prishtina", të cilët janë fitues të Kupës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat