Ngritja e kapaciteteve për të luftuar kancerin e domosdoshme

Kosova

Ngritja e kapaciteteve për të luftuar kancerin e domosdoshme

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 14:59
Tryeza mbi fuqizimin e kapaciteteve në mbështetje të pacientëve të prekur nga kanceri me moton “Ne do luftojmë krah jush”

Numri i personave të prekur në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje, prandaj nevoja për ngritje të kapaciteteve ekzistuese në klinikat ku trajtohen këta pacientë është e domosdoshme.

Përpilimi i listave esenciale të barnave, aparatura e nevojshme dhe rritja e hapësirave është nevojë e domosdoshme për këto spitale.

Kështu u tha në tryezën mbi  fuqizimin e kapaciteteve në mbështetje të pacientëve të prekur nga kanceri me moton “Ne do luftojmë krah jush” e organizuar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku dhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku u shpreh se rëndësia për vetëdijesimin dhe trajtimin e kësaj sëmundje tregohet më së miri përmes shifrave ku vetëm në nëntë muajt e fundit janë shënuar 247 raste të reja më kancer.

Sipas saj me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për trajtim të kancerit duhet të rritet buxhetit për shërbime shëndetësore, si dhe të pacientët e prekur nga kjo sëmundje të marrin pagën e tyre.

Kollçaku tha se në Klinikën e Onkologjisë ka nevojë për aparaturë dhe rritjen e kapaciteteve ekzistuese, pasi që hapësirat janë të pamjaftueshme.

Kollçaku: Të prekurve me kancer duhet t’i qasemi me humanitet

“Meqenëse jemi në muajin e vetëdijesimit për luftën kundër  kancerit të gjirit në nëntë muajt e fundit janë regjistruar 247 raste. Diagnostikimi i hershëm, parandalimi por ne nuk mund të flasim vetëm për diagnostikim të hershëm apo parandalim sepse ne tashmë kemi shumë raste dhe ne duhet t’i qasemi këtyre njerëzve në mënyrë humane, t’iu sigurojmë trajtimin e duhur edhe aktualisht është revidimi i listës esenciale, prandaj po ashtu neve na intereson a po pyeten ekspertët nga ky institut dhe të gjithë ata që merren me këtë problematik sa i përket revidimit të listës dhe futjes së medikamenteve më të reja që sa më efikas për trajtimin e kësaj sëmundje ”, u shpreh Kollçaku.

Kurse, iniciuesi tjetër i kësaj tryeze nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli tha se duhet të përkrahen hallkat e luftës kundër kancerit duke filluar nga politikat e parandalimit deri në eliminimin e faktorit të rritjes së kësaj sëmundje.

Sipas tij sistemi jonë shëndetësor është duke ngecur  për shkak të financimit të ulët. Ai shtoi se spitalet po përballen me kapacitet të vogla çoftë në hapësira, çoftë në barna, kostoja e të cilave është e lartë.

Avdyli: Sistemi jonë shëndetësor  po ngec

“Por sistemi jonë shëndetësor është duke ngecur ne sot ende akoma  kemi një sistem shëndetësor pa sistemin të informimit shëndetësor, pa sigurime shëndetësore dhe të cilat negativisht janë duke reflektuar në trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundje të shekullit. Me këtë financim të ulët për shëndetësinë dhe pa sigurime shëndetësore kjo doemos po ndikon edhe në trajtimin e pacientëve por po ashtu edhe në përgatitjen profesionale...07;48 Ky nënfinancim në shëndetësi po ndikon në kapacitet e spitaleve tona të kemi hapësira të mangëta, të kemi aparatura, por edhe të kemi mungesa të herë pas hershme të barnave të cilat janë shumë të shtrenjta”, ka thënë Avdyli.

Sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë pranë QKUK-së, Ekrem Hyseni numri i të prekurve me kancer në Kosovë nga viti 2013 e deri në vitin 2017  ka shënuar rritje të shpejtë, dhe një progres i kësaj sëmundje pritet edhe në vitet e ardhshme.

Sipas tij kjo klinikë brenda ditës ofron 100 deri në 200 shërbime në ditë për terapi të aplikuar, kurse në radioterapia sipas tij  për momentin funksionojnë  dy aparatura dhe brenda ditës i shërbejnë 80 deri në 100 pacientë.

Hyseni  tha se  me shtimin e rasteve të zbuluara do ketë nevojë për shtim të kapaciteteve të cilat disa nga to janë shtimi i aparaturave në kimioterapi ku për momentin janë vetëm dy aparatura dhe janë të mbingarkuara, aparatura për përgatitjen e citostatikëve, mundësia për pushim mjekësor dhe vazhdimi i pagesës përgjatë trajtimit të pacientit në kimioterapi dhe përpilimi i listës esenciale.

Hyseni: Krahas rritjes duhet edhe kapacitetet të shtohen për trajtim të pacientëve

“Në total Onkologjia në periudhën janar-shtator 2018 i ka dhënë 1041 mijë shërbime,  ky trend i shërbimeve është i sigurt që ka me shkua në rritje me shtimin e zbulueshmërisë së rasteve dhe do shtohen edhe kërkesat për aparaturë, infrastrukturë, pajisje, resurse humane dhe me i bë bashkë dhe me  që me iu përgjigj të gjitha nevojave kemi nevojë këto që me i shtua në të ardhmen dhe kjo mendoj se ka shumë nevojë imediate me vepruar sepse e dhe në planin afat shkurt, edhe në planin afatmesëm kemi nevojë për korrigjimin e aparaturës ekzistuese. Lista esenciale ka nevojë me u revidua shpesh, ajo që mundem me iu dhënë lajmin sot është se lista esenciale ekzistuese është lista të cilën unë kam filluar punë më 15 gusht 2012 këtë listë e kam trashëguar, është kjo listë me të cilën ne punojmë sot.. Ne jemi në proces të rishikimit të listës por ka nevojë që të paktën 1 herë në vitë mendojë që ka nevojë me u revidua” ,ka thënë drejtori i Onkologjisë.

Nafije Latifi nga shoqata kosovare për luftën kundër kancerit të gjirit “Jeta/Vita” u shpreh se ka mungesë të informimit dhe shërbimeve shëndetësore  për pacientët e prekur nga kanceri.

Latifi e cila është njëra nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit tha se mungesa e mamografisë në shumë qendra mjekësore po e pamundëson që të diagnostikohet kanceri në fazat e hershme.

Latifi: Nevojitet qasje profesionale ndaj të prekurve me kancer

“Ne i kemi 10 aparate të mamografisë në krejt Kosovën dhe ata diku punojnë, diku nuk punojnë domethënë dy vite me një komunë nuk punon aparati mamografik, kjo flet për një neglizhencë të stafit aty ose të politikave shëndetësore, pas kësaj është kirurgjia se zakonisht pacientët me kancer i nënshtrohen edhe intervenimeve kirurgjike...Në Kosovë pacientëve iu mungon edhe shërbimi paleatik, një formë e dinjitetshme për çdo person që të mos i lihet familjes me krejt problemet që i ka pacienti...Grave me kancer të gjirit iu nevojitet edhe një mbështetje psiko-sociale edhe me rastin e komunikimit të diagnozës kancer që asocon vdekje është mirë që qasja të jetë profesionale”, ka thënë ajo.

Latifi tha se  në klinika ka nevojë edhe për pajisjeve mbrojtëse nga rrezatimet , ku për shkak të tyre pastaj gratë po kanë probleme tjera si rënia e flokëve.

Ndryshe, muaji tetor njihet si muaj i dedikuar për vetëdijesimin, paralajmërimin e rritjes dhe edukimin e individëve për kancer të gjirit. E për këtë qëllim klinika e Radiologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke mbajtur  fushatën e kryerjes së mamografisë  pa pagesë nga data 1 deri më 31 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat