Fondi i Grave të Kosovës do të ndajë 47,992 euro për 14 organizata

Kosova

Fondi i Grave të Kosovës do të ndajë 47,992 euro për 14 organizata

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 08:00
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon sot konferencë për media për të shpallur zyrtarisht përfituesit e granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me shumën prej rreth 50 mijë Euro.

Në konferencë do të flasin Drejtorja Ekzekutive e RrGK, Zn. Igballe Rogova dhe Arsim Aziri, Udhëheqës i Administratës; Këshilltar i Sektorit Privat, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Pas konferencës, RrGK do të nënshkruaj kontratat me përfituesit e granteve. Këto grante janë mundësuar me përkrahjen e Agjencionit Austriak për Zhvillim.

RrGK do të ndajë 12 grante për 14 organizata të saj anëtare, dy prej të cilave janë partneritete, me shumën prej gjithsej 47,992.00  euro.

Këto iniciativa do të kontribuojnë direkt në zbatimin e Strategjisë aktuale të RrGK 2015-2018, dhe Strategjisë së re 2019-2022  e cila është në finalizim e sipër dhe si gjithmonë është përpiluar bashkë me anëtaret e RrGK.

Përfituesit e granteve të FGK janë:

Grant Avokimi Individual për një Organizatë:

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) me iniciativën: “Shëndeti për të gjithë” (3,840.00 euro)
Shoqata e Grave “Aureola” me iniciativën: “Avancimi i ligjit të trashëgimisë” (3,395.00 euro)
Shoqata e Mamive të Kosovës (ShMAKS) me iniciativën: “Fuqizimi i rolit të shërbimit profesional të mamive” (3,055.00 euro)
Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar të Mitrovicës – Handikos Mitrovica me iniciativën: “Depresioni tek nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe tek personat me aftësi të kufizuara” (3,346.00 euro)
Psikoterapeutët në Veprim me iniciativën: “Avancimi i kujdesit paliativ në Kosovë dhe sensibilizimi i komunitetit për personat me nevoja te veçanta” (3,351.00 euro)
Luna me iniciativën: “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të grave – kundër dhunës në baza gjinore” (3,511 euro)
Gruaja Bashkëkohore me iniciativën: “Stigma e shoqërisë mbi seksualitetin” (3,164.00 euro)
Aleanca e Grave për Integrim me iniciativën: “Vetëdijesimi i grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptase në komunën e Ferizajit dhe Lipjanit për shëndetin e tyre” (3,665.00 euro)
Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës (QMGF) “Raba Voca” me iniciativën: “Pushimi prindërorsi model i ardhshëm në Kosovë” (2,795.00 euro)
Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” me iniciativën: “Mbështetja e grave në menopauzë” (3,460.00 euro)

Grante Avokimi në Partneritet për Ndryshim:

Medica Kosova & Djepi i Buzëqeshjes me iniciativën: “Përdorimi i qasjes së bazuar në komunitet dhe traumë për përmirësimin e çasjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës gjatë procesit të njohjes së statusit të tyre” (6,894.00 euro)
Dera e Hapur & Ruka Ruci me iniciativën: “Çfarë sjell e nesërmja me mua!” (7,516.00 euro)

Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht për grupet që punojnë në vende rurale dhe personat e margjinalizuar. Që nga viti 2012, FGK ka ndarë 144 grante, duke përkrahur 75 organizata të ndryshme, me shumën prej 532,830.50  euro.

FGK ka pasur më shumë se 19,564 përfitues dhe ka kontribuar në së paku 29 ndryshime të politikave drejt përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave në Kosovë. Në vitin 2018, Fondi i Grave të Kosovës mbështetet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (origjinal: Austrian Development Agency – ADA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat