Rritet numri i punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës

Kosova

Rritet numri i punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 10:57
Tryeza e organizuar në kuadrin e platformës ‘Kosova që duam’ në fushën “punë dhe jetë të dinjitetshme”, KLGI dhe Fondacioni FriedrichEbertStiftung (FES)

Numri i vogël i inspektorëve dhe mos zbatimi i kontratave kolektive janë shfaqur si shqetësime në tryezën e organizuar në kuadrin e platformës ‘Kosova që duam’ në fushën “punë dhe jetë të dinjitetshme”, KLGI dhe Fondacioni FriedrichEbertStiftung (FES) me temën “Mekanizmat Institucional për mbrojtjen e punëtoreve”.

Besnik Muçaj nga KLGI tha se mungesa e një standardizimi të inspektoratit pengon edhe bizneset. Sipas tij shteti nuk i ka përdorur të gjitha mekanizmat e vet për zbatimin e kontratave.

“Ne kemi 30 lloje të inspektoratit, dhe mungesa e një standardi të inspektoratit pengon edh bizneset. Një strukturim dhe dakordim i përbashkët i shërben një procesi më dinamik i një kontrolli të përhershëm. Në anën tjetër shteti nuk i ka eksploru të gjithë mekanizmat e vet për zbatimin e kontratave. Kemi numër të madh të shërbimeve që kërkohen nga institucionet. Kamerierët që punojnë nëpër institucione është e jashtëlogjikës të mos kenë kontrata. Është momenti i fundit që me procesin e reformës së inspektorateve të vendoset rregulli dhe të ulet informaliteti në shoqëri”, tha ai.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli tha se janë duke punuar si Ministri në krijimin e një legjislacioni që ofron siguri dhe shëndet në punë.

Sipas tij numri i lëndimeve dhe vdekjeve në punë kohëve të fundit është shtuar, dhe që sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbetet sektori më i rrezikshëm për punë.

Sipas Dukollir edhe numri i vogël i inspektorëve e ka bërë më të vështirë inspektimin e vendeve të punës.

Avni Ajdini nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha se për këto tema duhet të diskutohet me punëtorë në vende të punës  dhe se të gjitha institucionet duhet të punojnë të ulin nivelin e pasigurisë në vendet e punës.

 "Këtë vit vetëm kemi 20 fatalitete. Numri më i madh i fataliteteve është në ndërtimtari dhe këto tryeza janë të mirë por të shkojmë edhe në vendin e  punës sepse kështu rritet edhe vetëdija dhe është preventiva më e mirë. Çdo ditë po na ndodhin rastet. Ndodhin  rastet gjithkund në botë por jo sikurse në Kosovë që për dy dërrasa e humbë jetën. Këto nuk falen, ne duhet me çdo kusht të punojmë qe ta ulim këtë dukuri negative. Marrëveshje kolektive është me Kushtetutë që të zbatohet", tha Ajdini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat