Institucionet e Kosovës ngecin në reformën evropiane

Kosova

Institucionet e Kosovës ngecin në reformën evropiane

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 12:56
Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe Instituti GAP

Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe Instituti GAP konsiderojnë se ka ngecje serioze në raport me zbatimin e reformave në kuadër të agjendës për reforma evropiane.

Institutet kanë dalë me raport të monitorimit për periudhën janar-shtator, ku vlerësojnë se nevojitet seriozitet më i madh nga organet kompetente në përmbushjen e kritereve, pasi sipas tyre, kjo e ngadalëson procesin e Kosovës drejt integrimit evropian.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, në kuadër të projektit mekanizmi i monitorimit të agjendës për reforma evropiane, që financohet nga Ambasada e Holandës në Kosovë, kanë monitoruar për 9 muaj të arriturat e institucioneve përgjegjëse për implementimin e masave të dala nga agjenda për reforma evropiane.

Në një konferencë me gazetarë, ata kanë thënë se masat që i kanë monitoruar janë masat e dala nga “Era1” që nuk është kompletuar nga viti 2016, dhe masat e dala nga vendimi i kryeministrit në nëntor 2017.

Visar Xhambazi nga PIPS theksoi edhe jo-transparencën e institucioneve për të ndarë me ta informacionet e nevojshme.

Xhambazi: Ka ngecje serioze në raport me zbatimin e reformave

 “Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe Instituti GAP, konsiderojnë që ka një ngecje serioze në raport me zbatimin e reformave në kuadër të agjendës për reforma evropiane. Nga 29 prioritete kyçe, të cilat janë paraparë të plotësohen, në total, vetëm 5 prej tyre, janë plotësuar në tërësi, dhe kjo përbën një ngecje serioze. Institucionet e Kosovës janë tash një vit me vonesë dhe ka ende shumë punë për të bërë”, tha ai.

Ngecja më e madhe theksohet në sektorin e arsimit, në të cilën vetëm 28 për qind në total të veprimeve janë plotësuar. Ndër të gjitha ministritë e monitoruara, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, qëndron më së keqi në zbatimin e reformave të parapara.

Njomza Mjeku nga GLPS tha se në monitorimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, për periudhën janar-shtator janë plotësuar 62 për qind e veprimeve, 24 për qind pjesërisht të plotësuara dhe 14 mbesin të paplotësuara.

Mjeku: Ngecjet vazhdojnë sikur në gjashtëmujorin e parë

”Këto 11 masa i kemi të ndara në tre kategori, në sundim të ligjit, në reformë zgjedhore dhe reformën e administratës publike. Sa i përket shtyllës së parë ngecjet vazhdojnë të jenë të njëjta si në gjashtë mujori ne parë, siç janë miratimi i legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin apo largimin e zyrtarëve publikë, miratimin e ligjit për gjyqtarë dhe prokurorë, auditimin dhe publikimin e raporteve financiare për vitin 2017, miratimin e pakos ligjore për reformën e administratës publike, si dhe pako ligjore për reformën zgjedhore. Ajo që duhet cekur është edhe kodi penal që është miratuar prej qeverisë, mirëpo vazhdon të ketë ngecje te Kuvendi. Pra, një ndër arsyet që shkakton dhe vazhdon të jetë problematike në implementimin apo kompletimin e këtyre premtimeve është ngecja në Kuvend”, tha ajo.

Ndërsa, Nora Jusufi nga Instituti GAP bëri të ditur se ngecjet janë pothuajse të njëjta me ato të gjashtëmujorit të parë.

Jusufi:  Ngecje në fushën e energjisë

“Ngecjet po ashtu mbesin pak a shumë të njëjta me ato të gjashtë mujorit të parë, është ristrukturimi i Agjencisë për Investime, dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA, pastaj kemi mosmiratimin e projektligjit për inspektime, mos-miratimin e ligjit për efiçiencë, rrjedhimisht krijimin e fondit për efiçiencë të energjisë, dhe në fushën e energjisë ka moszbatime të marrëveshjeve, të marrëveshjes së KOST-it të Kosovës dhe EMAS së Serbisë, për shkak të neglizhencës së palës së kundër, megjithatë kjo nuk është arritur”, tha ajo.

Sipas raportit, disa nga ngecjet kryesore dhe më të theksueshme në sektorin e arsimit, janë mos themelimi i agjencisë për kurrikulë, standarde dhe vlerësim; mos-hartimi i kurrikulave bërthamë për arsimin dhe aftësimin profesional; si dhe mos fillimi i fazës së pilotimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat