Lansohen udhërrëfyesit e parë klinikë

Kosova

Lansohen udhërrëfyesit e parë klinikë

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 15:14
Ministria e Shëndetësisë lansoi sot katër udhërrëfyesit e parë klinikë

Ministria e Shëndetësisë lansoi sot katër udhërrëfyesit e parë klinikë, të cilët kanë për qëllim ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore përmes një kujdesi shëndetësor të bazuar në dëshmi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa tha se sot po lansohen 4 nga 8 udhërrëfyesit sa kjo ministri ka hartuar deri më tani.

“Duke e parë nevojën dhe urgjencën e hartimit të këtyre udhërrëfyesve dhe protokolleve, MSH ka përcaktuar bazën ligjore për procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike në vendin tonë përmes Udhëzimit Administrativ 08/2015. Përmes këtij Udhëzimi janë përcaktuar edhe trupat rregullatore që sigurojnë mbikëqyrje të cilësisë së procesit, duke adaptuar praktikat më të mira mjekësore nga vendet e zhvilluara bazuar në standardet ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë në këtë proces, i cili duhet të vazhdohet intenzivisht me zbatim të tyre në praktikën e përditshme të profesionistëve shëndetësorë.

Drejtoresha e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Popullatën (UNFPA), Doina Bologa, vlerësoi se udhërrëfyesit do t’u ndihmojnë pacientëve dhe sistemit shëndetësor në Kosovë.

“Udhërrëfyesit janë bërë pjesë integrale e sistemit shëndetësor dhe konsiderohen mjete esenciale për ta përmirësuar kujdesin në sistemin primar, sekondar dhe terciar. Principi kryesor për udhërrëfyesit e bazuar në evidencë është që të avancoj përkujdesjen klinike në të mirë të pacientëve”, tha ajo.

Udhëheqësja e Këshillit Kosovar për Udhërrëfyes dhe Protokolle Klinike, Arbëresha Turjaka ka shpjeguar procesin e adaptimit të udhërrëfyesve klinikë, duke shpjeguar se arsyeja e fillimit të hartimit të tyre është sigurimi i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore të bazuara në dëshmi, duke pasur për fokus gjithmonë interesin e pacientit.

Katër udhërrëfyesit e lansuar sot janë: Menaxhimi i preeklampsisë se rëndë dhe eklampsisë; parandalimi dhe menaxhimi I hemorragjisë primare postpartale; skrinimi dhe trajtimi i lezioneve prekanceroze të qafës së mitrës; dhe udhërrëfyesi për shërbime të HIV/testimit.

Në proces ndërkaq janë udhërrëfyesit menaxhimi i hipertensionit arterial; Menaxhimi jo farmakologjik i sëmundjes së sheqerit; Menaxhimi i astmës; dhe Transporti neonatal.

Procesi hartimit dhe lansimit të udhërrëfyesve klinikë është përkrahur nga UNFPA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat