Premtohet një sistem shëndetësor i standardeve bashkëkohore

Kosova

Premtohet një sistem shëndetësor i standardeve bashkëkohore

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 16:50
Tryeza e PDK-se per kancerin

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha sot gjatë një tryeze për kancerin e gjirit, se Qeveria e Kosovës tash e një vit po bënë përpjekje të mëdha për të transformuar shëndetësinë kosovare, e cila prej vitesh ka qenë e lënë pas dore dhe në fund të këtij mandati synohet të ketë një sistem shëndetësor të standardeve bashkëkohore.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i PDK-së tha se sot në botën bashkëkohore, jeta kualitative e qytetarëve, siguria, shëndeti, stabiliteti ekonomik, janë prioritete që i japin kuptim politikës, jo frazat bombastike e patriotizmat abstrakt.

“Statistikat janë shqetësuese. Ato flasin se, nga viti në vit, rastet e kancerit të gjirit kanë ardhur duke u shtuar në Kosovë. Kjo sëmundje ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ, si në jetën e grave të prekura prej saj, por njëkohësisht në familjet tona, në mirëqenien e fëmijëve”, theksoi Veseli.

Kreu i PDK-së tha se reagimi duhet të jetë i përbashkët, si shoqëri dhe si shtet, që me politika të duhura të ndikojë në ndalimin e këtij trendi shqetësues të rritjes së rasteve me kancer të gjirit.

“Tash e një vit jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të transformuar shëndetësinë kosovare, e cila prej vitesh ka qenë e lënë pas dore. Ky transformim ka dy qëllime: qëllimi i parë, pacientët kosovarë duhet të gjejnë shërim dhe shërbime cilësore në vendin e tyre, e jo të bredhin spitaleve të rajonit duke shkatërruar ekonominë e tyre familjare. Duhet t’i japim fund fenomenit të eksportimit të pacientëve në vendet e rajonit. Qëllimi i dytë, mjekëve tanë duhet tu krijomë kushte teknologjike dhe financiare që profesionin e tyre human ta ushtrojnë në vendin e tyre, e të mos kërkojnë që ta braktisin Kosovën. Duhet t’i japim fund eksportimit të trurit në fushën e mjekësisë”, tha kryetari Veseli.

Ai shtoi Partia Demokratike e Kosovës ka marrë drejtimin e sektorit të shëndetësisë pikërisht për këto qëllime.

“Gjatë këtij viti ne kemi dëshmuar se e kemi seriozisht në arritjen e tyre dhe në fund të këtij mandati ne synojmë të kemi një sistem shëndetësor të standardeve bashkëkohore dhe më të mirë se të vendeve të rajonit. Ne mundemi dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha kryetari i PDK-së.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, njëherësh nënkryetar i PDK-së, tha se reformat në shëndetësi do të jenë të vazhdueshme, në mënyrë që pacientët të marrin shërbime cilësore shëndetësore dhe personeli shëndetësor të merr mbështetjen e nevojshme.

Ndryshe, tryeza për kancerin e gjirit është organizuar nga Rinia e Partisë Demokratike e Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat