Veseli: Liberalizimi në fund të vitit; Apostolova nuk jep data

Kosova

Veseli: Liberalizimi në fund të vitit; Apostolova nuk jep data

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 10:29
Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe shefja e zyrës së BE-së Natalyia Apostolova

(E plotësuar) - Shefja e zyrës së BE-së Natalyia Apostolova dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë shprehur edhe një herë kundërshtitë në mes të institucioneve kosovare dhe atyre evropiane sa i përket liberalizimit të vizave.

Pas takimit të mbyllur me anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Veseli tha se lëvizja e lirë duhet të bëhet deri në fund të vitit, kurse Apostolova përveç që u rezervua nga dhënia e afateve, bëri thirrje që edhe të tjerët të mos marrin përsipër zotime.

Apostolova këtë takim e vlerësoi si mjaft konstruktiv, duke shtuar se ekspertët e BE-së do të japin këshilla për sfidat me të cilat përballet komisioni.

Apostolova: S’duam të zotohemi me data për liberalizimin

“Gjithmonë kam thënë se ky është një vendim i zyrave tona qendrore, nuk na pëlqen të flasim për data, nuk duam të zotohemi me data. Më e rëndësishmja është mbështetja që komisioni dhe parlamenti tashmë kanë dhënë për Kosovën për liberalizimin e vizave , tani është në duar të shteteve anëtare, dhe për këtë arsye nuk dua të zotohem, dhe i këshilloj të gjithë që të mos zotohen sepse ky është një proces, për të cilin ne nuk mund të flasim. Nëse i adaptoni ligjet esenciale për liberalizimin e vizave, veçanërisht kushtin e fundit, e dini, gjykata penale, gjykata e procedurës penale, ligjet për konfiskim, besueshmëria e prokurorëve dhe gjyqtarëve, këto do të krijojnë një përshtypje të mirë te kryeqytetet që në fakt do të vendosin”, tha Apostolova.

Kreu i PDK-së ka përdorur fjalën “racizëm” për të aluduar në situatën ku liberalizimi s’do të arrihet brenda vitit.

Veseli: Racizmi s’duhet të ndodhë në Evropë, liberalizimi në fund të vitit

“Ne do të lëvizim drejt Bashkimit Evropian, do të përmbushin çdo kriter i cili ka të bëjë me agjendën evropiane, që ishte edhe zotimi të cilin e patëm sot në komisionin e legjislacionit. Përkrahja e zyrës së BE-së është shumë e sinqertë dhe shumë e drejtpërdrejtë, e falënderojmë edhe zonjën Apostolova. Duhet të keni parasysh Bashkimi Evropian jo vetëm se është prioritet por është qëndrim i yni, është identitet i yni, ne do të lëvizim në këtë drejtim për aq sa liberalizimi i vizave është një e drejtë e cila duhet të ndodh në fund të këtij viti, racizmi nuk duhet të ndodh në Evropë. Ne duhet të jemi bashkërisht pjesë e zhvillimeve të përbashkëta si identitete evropiane, unë besoj dhe shpresoj shumë në reflektimin shumë pozitiv në fund të këtij viti qytetarët e Republikës sonë të lëvizin lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Po presim përgjigje pozitive nga vendet e BE-së”, tha Veseli.

Kuvendi ka filluar seancën e jashtëzakonshme me qëllim miratimin e rezolutës e cila do t’i ndalonte Presidentit Hashim Thaçi diskutimin e territorit në negociatat me Serbinë.

Por Apostolova është treguar e rezervuar kur u pyet nëse e përkrah rezolutën e kërkuar nga LDK-ja.

“Nuk mund të them asgjë për këtë”, u shpreh Apostolova, duke treguar edhe një herë pikëpamjen e BE-së për bisedimet në mes të dy shteteve.

Apostolova: BE dëshiron proces gjithëpërfshirës për dialogun

“Për dialogun dua vetëm të them se ne si BE jemi shumë të interesuar që të jetë një proces gjithëpërfshirës, duam të shohim konsensus në mes palëve dhe shpresoj se bëhen vendime dhe debate në këtë drejtim”, tha ajo. 

Pritja e gjatë e kosovarë për liberalizimin e vizave u shoqërua me shumë premtime nga politikanët kosovarë, mirëpo asnjëherë këso premtimesh nuk dhanë zyrtarët evropianë.

Veseli: S’ka vend për racizëm, të hiqen vizat

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se s’ka vend për racizëm dhe se vizat për shqiptarët duhet të hiqen deri në fund të këtij viti.

Ai këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media pas takimit që pati me anëtarët e Komisionit për Legjislacion, pjesë e të cilit ishte edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në takim është kërkuar miratimi i ligjeve siç është ai për kodin e procedurës penale, konfiskimin e pasurisë, etj,.

Atje, e dërguara e BE-së  në Kosovë ka lutur shqiptarët që të mos japin data për heqjen e vizave deri në fund të këtij viti për shtetasit e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat