Këtë vit do të gërmohen 10 lokacione të dyshuara për varreza të shqiptarëve

Kosova

Këtë vit do të gërmohen 10 lokacione të dyshuara për varreza të shqiptarëve

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 14:44
Prenk Gjetaj në një konferencë për media

Deri në fund të këtij viti pritet të gërmohet 10 lokacione të dyshuara për varreza me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Ndërsa, në takimin që ka pasur sot komisioni qeveritar për personat e zhdukur, është marrë vendim që të ndahen 28 mijë euro për shoqatat e familjeve të personave të pagjetur.

Kryetari i komisionit për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj në një konferencë për media ka treguar për gjurmimet dhe rezultatet që kanë pasur ditëve të fundit.

Gjetaj: Do të ketë një dinamikë  të gërmimeve vlerësuese, jemi me vonesë

“Aktivitete vlerësuese janë vazhdu në kuptimin e gërmimit vlerësues, në Izbicë javën e kaluar prej të hënës deri të premtën, dhe dje e pardje këto dy ditë, janë  zhvillu në Majanc të komunës së Podujevës dhe nuk ka pasur gjetje. Sot akvitetet vlerësues vazhdohet edhe në Polac. Do të thotë është një dinamikë e gërmimeve vlerësuese, sepse pak a shumë jemi me vonesë dhe pritet ndryshimi i kushteve atmosferike që mund të jetë edhe pengesë. Do të thotë me një dinamikë do të vazhdohet rreth këtyre realizimeve të këtyre urdhëresave të cilat janë siguru nga ana kompetente” tha Gjetaj.

Nga takimi i fundit që patën në Beograd, Gjetaj ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes palës serbe dhe Kosovës në lidhje me pranim-dorëzimin e mbetjeve mortore të identifikuara.

Shoqatat e familjeve të personave të pagjetuar do të përkrahen dhe ndihmohen me një shumë nga 28 mijë euro.

Gjetaj: Kryeministri do të ndajë 28 mijë euro për shoqatat e familjeve të personave të pagjetur

“Sot u morr vendimi për ndihmën , përkrahjen sipas vendimit të kryeministrit për t’i përkrahë shoqatat e familjeve. Sepse në një takim që është organizuar  në “Ditën Ndërkombëtare e të Zhdukurve”, kryeministri ka marrë vendim për t’i përkrahur me një shumë financiare prej 28 mijë euro dhe ne i kemi përcaktu kriteret, kemi njoftu shoqatat, kemi prit me i siguru dokumentacionet dhe që nga nesër do të filloj përcjellja  e mjeteve financiare dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me analizimin e fakteve në lidhje me personat e zhdukur”, tha kryetari i komisionit për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj.

Ndërsa, këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka tha se me 5 nëntor do të jenë në Hagë, ku të gjitha komisionet rajonale do të nënshkruajnë së bashku një plan operacional për të cilën do të jetë edhe një ndihmesë shumë e madhe, për të ndriçuar fatin e personave të pagjetur.

Lluka: Serbia është adresa e njerëzve tonë të humbur

“Ky plan operacional është dashur të nënshkruhet në Samitin e Londrës, mirëpo për shkak se Kroacia s’ka qenë shumë e disponuar për me nënshkru tani më është arrit marrëveshje dhe besoj që kjo do të jetë edhe një përparësi për punën e komisionit edhe bashkëpunimit me komisionet rajonale. Ne s’kemi ndonjë problem me rajonet tjera, kemi drejtpërdrejtë me Serbinë, se ajo është adresa e njerëzve tonë të humbur”, u shpreh Lluka.  

Lluka ka njoftuar se ditëve në vijim do të punojnë me një dinamikë më të madhe, duke pasur parasysh ngecjet që i kanë pasur.

Ai theksoi se deri në fundvit do të gërmohen 10 lokacione, duke synuar kështu që cdo familje të ketë një informacion për familjarët e tyre.

Tutje ka shtuar se çdo zhdukje e personave ka qenë plan i Serbisë, edhe për këtë ai tha se kjo e fundit dëshiron  ta fsheh krimin.

Lluka: Serbia nuk të jep shumë informacione, e fsheh krimin

“Serbia nuk të jep shumë lehtë informacione, unë po ju them është nënshkruar një deklaratë në Samitin e Londrës, ku e ka nënshkru edhe kryeministrja e Serbisë, për zbardhjen e personave të zhdukur, ndërsa praktikë nuk funksionon, prandaj adresa dihet, punën  e kryjmë, po shpresojmë që edhe rezultatet e radarit, do të vijnë”, tha Lluka.

Lluka ka thënë se nuk janë të kënaqur me punën e dy delegacioneve për të zhdukurit atij të Kosovës dhe Serbisë sepse deri më tash nuk kanë prodhuar rezultate.

Duke kërkuar kështu që sot Kuvendi i Kosovës të gjej  një rezolutë të përbashkët për dialogun, ku do të hyj edhe çështja e personave të zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat