Kompania që po premton punësime në Gjermani edhe në Prishtinë, demantohet Kryeministri

Kosova

Kompania që po premton punësime në Gjermani edhe në Prishtinë, demantohet Kryeministri

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 17:02
Ramush Haradinaj

Kompania nga Prizreni, “B.S.B  Aviation” e cila po pretendon të jetë ndërmjetësuese e kompanisë “O.B.M Aviation” me seli në Gjermani, për të punësuar 2000 persona, në aeroportin e Hamburgut të Gjermanisë, sot ka ardhur edhe në Prishtinë, për të ua mundësuar aplikimin për punë qytetarëve të interesuar. Por, për këtë kompani, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka thënë se janë duke e hetuar organet përgjegjëse. Këtë deklaratë të tij, po e demanton Policia e Prizrenit.

Lajmi se 2000 persona mund të punësohen në Gjermani gëzoi shumë qytetarë të Kosovës, të cilët janë të papunësuar. Mijëra qytetarë u nisën të mërkurën drejt Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha”  në Prizren për të aplikuar për punë në aeroportin e Hamburgut.

Por, Kryeministri Haradinaj sot e ka zbehur pak gëzimin e qytetarëve, pasi ka thënë se kjo kompani është duke u hetuar nga organet përgjegjëse.

Ndërkaq deklaratën e Haradinajt, e ka demantuar Policia e Prizrenit, e cila ka thënë se nuk kanë hapur rast hetimi për kompaninë në fjalë.

Kjo kompani, sot ka ardhur edhe në “Sallën e Kuqe” në Prishtinë, mirëpo këtu nuk duket se kishte shumë të interesuar sa në Prizren.

Në kryeqytet, ishin rreth 400 persona të cilët kishin ardhur për të aplikuar për punë në këtë agjencion i cili po pretendon se po shërben si ndërmjetësues për t’i punësuar qytetarët në Gjermani.

Media mëson se shumica e qytetarëve që ishin sot prezent në takimin me kompaninë nga Prizreni, ishin të diplomuar në Infermieri e degë të tjera të mjekësisë, që nuk kanë të bëjnë fare me punën në aeroport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat