Hiq më pak se 52 pika i presin deputetët e Kuvendit të Kosovës për shqyrtim e miratim.
Pika këto të cilat u mblodhën nga dështimi i njëpasnjëshëm i disa seancave me radhë, në mungesë kuorumi.
Por, gjasat që këto pika të miratohen janë të pakta.
Me të përfunduar seanca e jashtëzakonshme e thirrur për rezolutën e dialogut Kosovë - Serbi, Kuvendi nuk ka arritur të mblidhet për të vazhduar me punimet e rregullta.
Menjëherë pas votimit të rezolutës, Nënkryetari, Xhavit Haliti, tentoi ta vazhdojë seancën, duke e futur në votim njërën nga pikat, por pas largimit të Listës Serbe nga salla u larguan edhe deputetët e tjerë.
Kjo situatë ndikoi që Kuvendi të shkojë një orë në pauzë.
Por, kaluan gati dy orë dhe deputetët nuk u kthyen në sallë.
Këtu u pa se mazhoranca nuk po arrinte t’i bënte numrat për t’i kaluar projektligjet.
Pas një konsultimi me shefat e grupeve parlamentare, Veseli vendosi ta shtyjë këtë seancë për të premten.
Por, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, është i bindur se pushteti i ka numrat për t’i kaluar të gjitha pikat që janë për miratim, raporton ktv.
Qëkur Lista Serbe vendosi t’i bojkotojë institucionet e Kosovës, Kuvendi vazhdimisht është përballur me mungesë kuorumi.