Familjarët rrëfejnë si u mbyt 82-vjeçarja në bunarin e shtëpisë në Malishevë

Kosova

Familjarët rrëfejnë si u mbyt 82-vjeçarja në bunarin e shtëpisë në Malishevë

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 15:56
Bunari ku humbi jetën Miradija

Miradije Bytyqi humbi jetën dje në bunarin e shtëpisë së saj në fshatin Kravasari të Malishevës. Sipas familjarëve, 82-vjeçarja u mbyt gjatë tentimit për të nxjerrë një kovë me ujë nga bunari. Dhëndri i saj thotë se vjehrra e tij i lante duart me ujë bunari dhe duke e bërë këtë ka rrëshqitur në bunarin e thellë 7-8 metra. E ndjera është varrosur sot. Policia ka njoftuar për këtë ngjarje dhe ka paralajmëruar hetime të mëtejme.

Miradija, që tash e një kohë banonte në banesën e dhëndrit të saj në Malishevë, dje kishte kërkuar të shkonte në fshatin Kravasari, ku edhe e kishte shtëpinë. Bashkë me vajzën dhe nipin e saj ajo kishte shkuar për të marrë arra, molla dhe pemë të tjera që kultivoheshin në oborrin e shtëpisë së tyre. Pasi kishin ngrënë ajo kishte dalë në oborr dhe bashkë me kapakun e bunarit ra në thellësinë e tij prej 8-9 metrash.

Media sot ka qëndruar në shtëpinë e Miradijes. Për të është hapur e pamja ndërsa varrimi u bë në orën 15. Dhëndri i saj, Muhameti, rrëfen ngjarjen.

“Ka qenë në gjendje shumë të rregullt psiqikisht nuk ka vujtë, nuk kemi pas kurrfarë elementi që ka vujt për diçka, gjitha të mirat i ka pasë edhe ka qenë e kfjellët. Dje përmallshëm është ardhë në fshat, këtu e kanë shpinë. U ardhë me marrë arra, molla, që tubohen ka vjeshta”, thotë dhëndri i Miradijes.

Ai tregon se vjehrra e tij ujin e ka pasur pikë të dobët. Thotë se vazhdimisht i lante duart pasi ka qenë shumë e pastër.

“Ujin e ka pasë në shpirt, për gjithçka durtë mi la. Me ecë deri qaty pa hi në çeshme me i la durtë nuk e lente, shprehi e ka pasë atë. Edhe ka rrëshqitë arka e bunarit e kjo në atë moment bashkë me të ka ra”, thotë ai.

Madje, Miradija gjatë qëndrimit të saj në oborr kishte mbledhur edhe një qese me arra. Gjurmët e tyre kishin mbetur pranë bunarit.

“U pa se kanë mbetë edhe gjurmët e ka marrë një najlon arra. Edhe arrat kishin mbetë afër bunarit. Bunari ka qenë i rrethum me arkë, u afru me marrë ujë... Ka pasë edhe ujë në çeshme po ka pasë qejf në ujë të bunarit m'i pastru durtë”, vazhdon rrëfimi për të.

Bunari i familjes Bytyqi që ishte çelur shumë kohë më parë, ia mori jetën gruas më të moshuar të tyre. Familjarët e përshkruanin si grua të mirë të cilën e donin. Gjatë qëndrimit të ekipit të express në këtë shtëpi u panë shumë të afërm që vinin për ngushëllime.

Ky rast, u bë i ditur sot nëpërmjet raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës. Më pas u konfirmua edhe nga zyrtarë tjerë të policisë.

“Me datë 01.11.2018 në ora 12:30 policia në Malishevë ka marrë informacion për një rast ku dyshohet se një person i gjinisë femërore kishte rënë në një pus. Policia së bashku me njësitë tjera kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kuptuar se personi M. B., e moshës 82-vjeçare, kosovare/shqiptare, kishte rënë në një pus ku edhe kishte humbur jetën”, tha Lirije Podrimaj, nga policia rajonale e Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat