Rriten zonat urbane, Kosova pa hartë zonale

Kosova

Rriten zonat urbane, Kosova pa hartë zonale

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 12:50
Ilustrim

Zonat urbane në Kosovë për 18 vjet janë rritur për 57 për qind, por kjo rritje është bërë në tokat bujqësore. Derisa zonat urbane po rriten, komunat e Kosovës nuk kanë harta zonale, madje hartë zonale nuk ka as në nivel të vendit.

Këto të dhëna janë bërë të ditura gjatë konferencës për shënimin e “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve”.

Zyrtarë të MMPH-së kanë bërë të ditur se në vitin 2000 sipërfaqja e zonave urbane ka qenë rreth 1 për qind, ndërsa në vitin 2018 sipërfaqja e zonave urbane është 1.5 për qind e gjithë territorit të Kosovës, prej të cilave 50 për qind janë krijuar prej vitin 2000-2012, ndërsa 7 për qind nga viti 2010 deri në vitin 2018.

Sa i përket Planit Zhvillimor Komunal, 31 komuna e kanë të miratuar këtë plan, derisa 4 komuna janë në proces, ndërsa dy komuna janë në fazën përgatitore për këtë plan.

Nga Divizioni i Planifikimit Hapësinor, Vjollca Puka, ka bërë të ditur se 22 komuna janë në proces të krijimit të hartave zonale, 3 janë në faza përgatitore, ndërsa 13 komuna nuk e kanë filluar ende procesin.

Puka: Ende nuk kemi ndonjë hartë zonale të miratuar nga komunat e vendit

“Vlen të theksohet edhe pse kanë kaluar gati 5 vite në miratimin e kornizës ligjore ende nuk kemi ndonjë hartë zonale të miratuar nga komunat e vendit. Por, janë një pjesë e konsiderueshme e komunave janë në proces të hartimit të planit, si 58 për qind e të gjitha komunave, në fazë përgatitore 3 dhe nuk kanë filluar ende me hartimin e këtij dokumenti, për shkak të rishikimeve të planeve zhvillimore komunale”, bëri të ditur ajo.

Megjithatë, është thënë se në muajin e ardhshëm pritet që nga ministria të bëhet prezantimi i draftit të Hartës Zonale të Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, është shprehur se profesionistët e fushës duhet të kontribuojnë në hartimin e politikave për zhvillim të planifikimit urban.

Çitaku: Profesionistët e fushës duhet të jenë të trajnuar

“Kjo ditë na përkujton se profesionistët e fushës duhet të jenë të trajnuar, të cilët me angazhimin e tyre në institucionet qeveritare, në kompanitë konsulentë dhe kompanitë private, si dhe në institucionet arsimore duhet të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të vendbanimeve tona. Duhet të ndihmojmë bashkërisht në hartimin e planeve për zonat e reja të zhvillimit dhe të ndihmojmë në korrigjimin e atyre të vjetrave. Me angazhimin e tyre të pazëvendësueshëm, profesionistët e fushës duhet të ndihmojnë edhe në hartimin e politikave qeveritare nga të cilat duhet të përfitojnë të gjithë”, tha ai.

Ndërkaq, këshilltari i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti tregoi se çfarë ka bërë kjo ministri sa i përket planifikimit urban të vendit, ndërsa potencoi se një nga problemet e Kosovës është mos planifikimi urban.

Shënimi i kësaj dite sipas tij është shembull dhe nismë e mirë për të gjithë që së bashku të mendohet, të punohet për ndërtimin e qyteteve me ndërtimin e duhur urban

Sahiti: Një nga problemet që ka Kosova pa dyshim që është edhe mos planifikimi urban    

“Një nga problemet që ka Kosova pa dyshim që është edhe mos planifikimi urban. Ndërtimet e egra dhe pa leje, mungesa e hapësirave të gjelbra, mungesa e parkingjeve dhe hapësirave për sport dhe rekreacion sigurisht që ndikojnë edhe në rritjen e ndotjes së ajrit. Njëkohësisht një qytet pa plan nënkupton një qytet me kaos urban, një qytet jo funksional dhe që ndikon negativisht edhe në zhvillimin psiko-social të qytetarëve. Me angazhimin tonë të përbashkët tani kemi të miratuar ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe një sërë ligjesh e udhëzimesh tjera të cilat mundësojnë një planifikim urban më të mirë”, u shpreh ai.

Zbatimi i ligjit për ndërtim, atij për planifikim hapësinor dhe ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, sipas tij i mundëson Kosovës krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndosh për të gjithë qytetarët e saj. Njëkohësisht sipas tij, kjo i kontribuon Kosovës që të përmbush kriteret për anëtarësim në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat