Drenica konferencë shkencore për Skënderbeun

Kosova

Drenica konferencë shkencore për Skënderbeun

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 15:48
Skenderaj

Në shënim të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, komuna e Skenderajt ka organizuar një konferencë shkencore, ku u tha se fryma skënderbegiane duhet të vazhdojë të mbretërojë tek populli shqiptar.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin historianë e personalitete të shquar të cilët vlerësuan lart figurën e Skënderbeut.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se mesazhi dhe figura e Skënderbeut duhet të trashëgohet ndër breza.

Sipas tij përmes ndjekjes mesazhit të heroit kombëtar për liri, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën të sjellin lirin dhe pavarësinë për popullin shqiptar në Kosovë.

Jashari: Skënderbeu krenaria jonë

"Është krenaria jonë shqiptare, është identiteti ynë, është personaliteti që ka frymëzuar me shekuj shqiptar në rrugën e tij për liri dhe pavarësi. Mesazhi që ka sjell dhe ka përcjell, dhe përcillet edhe sot nga heroi ynë kombëtar është universal....Ne e kemi për obligim që të ua lëmë trashëgim brezave që do vijnë pas nesh, për ta trashëguar këtë vend të bekuar, atdheun tonë të shtrenjt Kosovën", u shpreh i pari i Skenderajt.

Kurse, ligjëruesja e Fakultetit të Filologjisë, Sala Ahmeti u shpreh se Gjergj Kastrioti i pari në Evropë e bëri konsolidimin e vlerave kombëtare.

Sipas Ahmetit fryma skenderbegiane duhet të na përcjell gjithmonë, e sidomos tani kur po përballemi me disa shpërfytyrime të vlerave kulturore.

Ahmeti: Vlerat kombëtare i promovoi i pari në Evropë

 "Kjo dëshmon se këtu në këtë vend është bartur breza ps brezi madhështia e figurisë së Skënderbeut. Është bartur ndjenja për t'i promovuar vlerat kombëtare, të cilat Skënderbeu në kohën e tij i konsolidoi i pari ndër udhëheqësit në Evropë. ...Konsolidimin e kombit të ashtuquajtur modern që e njohim ne sot e ka promovuar i pari në Evropë", ka thënë Ahmeti.

Ajo tha se një shembull të figurës së heroit kombëtar e ndoqi edhe komandanti legjendar, Adem Jashari.

Ndërkaq, Nezir Bejta profesor i gjimnazit “Hamëz Jashari", në Skënderaj tha se përmes kësaj konference të iniciuar nga ky gjimnaz po përkujtohet epoka më e lavdishme e kombit shqiptar.

Bejta: Skënderbeu i bëri ballë perandorisë osmane për dy dekada

"Ne sot po e përkujtojmë Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme të histografisë shqiptare i cili për më shumë se dy dekada i bëri ballë një perandorie që për synim kishte sundimin e gjithë Evropës", ka thënë Bejta.

Gjatë kësaj konference shkencore u lexuan edhe kumtesa të cilat pasqyronin ndikimin e figurës së heroit Gjergj Kastriotit Skënderbeut për krijimin e kombit shqiptar. Për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot- Skënderbeu edhe Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat