Prokurori harron të shkojë në gjykimin për falsifikim të lejeve të armëve

Kosova

Prokurori harron të shkojë në gjykimin për falsifikim të lejeve të armëve

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 23:46
Prokurori harron të shkojë në gjykimin për falsifikim të lejeve të armëve

Në gjykimin për falsifikim të lejeve për armë, prokurori i rastit nuk u paraqit në sallë të Gjykatës pasi që tha se kishte harruar se kishte seancë gjyqësore në këtë rast.

Ndonëse seanca gjyqësore ka qenë e planifikuar që të fillojë në orën 09:30, gjykatësi Mustafë Tahiri e ka pritur prokurorin Feti Tunuzliu për 25 minuta, por i njëjti nuk është paraqitur në sallë.

Në sallë të Gjykatës me kohë ishin paraqitur të akuzuarit së bashku me avokatët e tyre, të cilëve iu desh të prisnin për rreth 25 minuta deri sa Gjykatësi Mustafë Tahiri u paraqit në sallë për të hapur shqyrtimin gjyqësor.

Pas konstatimit të palëve të pranishme në sallë, gjykatësi Tahiri tha se ndonëse prokurori kishte qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt përmes procesverbalit, i njëjti nuk është paraqitur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

“Mungon prokurori i shtetit, i cili ka qenë i njoftuar me rregull përmes procesverbalit të datës 12.10.2018 mirëpo i njëjti deri më tani nuk është paraqitur në Gjykatë dhe nuk e ka njoftuar paraprakisht Gjykatën për arsyet e mungesës së tij”, tha gjykatësi.

Lidhur me fillimin e seancës gjyqësore me vonesë, gjykatësi tha se kjo ka ndodhur pasi që ai ka qenë duke e pritur prokurorin që të paraqitej.

“Për këtë arsye nuk fillova duke e pritur prokurorin. Sipas zyrtarëve të Prokurorisë i njëjti gjendet në këtë Gjykatë në një seancë tjetër mirëpo kjo nuk është arsye pasi që prokurori është dashur të na lajmërojë me kohë”, deklaroi gjykatësi.

Pasi që gjykatësi e shpalli të përfunduar seancën gjyqësore, në sallë u paraqit prokurori Feti Tunuzliu, i cili gjykatësit i tha se nuk e posedon lëndën me vete pasi që nuk ka qenë fare në dijeni për mbajtjen e kësaj seance gjyqësore.

“Jo nuk e kam sepse thash isha në një tjetër gjykim. Nuk e kam ditë për këtë ditë”, deklaroi prokurori Tunuzliu.

Prandaj në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit fillestar seanca u shty për datën 29 nëntor.

Edhe muajin e kaluar ka qenë e paraparë që të mbahej shqyrtimi fillestar në këtë rast, por Gjykata e kishte detyruar prokurorin e çështjes që të bëjë precizimin e aktakuzës.

Sipas gjykatësit Mustafë Tahiri, aktakuza e paraqitur nga prokurori Feti Tunuzliu nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, prandaj e ka detyruar prokurorin që fillimisht ta bëjë precizimin e aktakuzës e më pas të procedohet më tej.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 2016/17 i akuzuari Atdhetar Rexhepi, ka përpiluar dokumente publike false që ruhen në bazë të ligjit, duke falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje. Duke shënuar në to të dhënat e nevojshme të personave, Hashim Rexhepi, Flakron Maqani e Fitim Imeri të cilat leje nuk i plotësojnë tiparet e sigurisë sipas teknologjisë standarde dhe janë printuar në teknikën “elektrofotografi” që nuk kanë pasur reaksion nën rrezet UV dhe nën rrezet IK dhe nuk janë respektuar procedurat për lëshimin e lejeve për armëmbajtje të përcaktuara me dispozitat e Ligjit për Armë dhe rregulloren për armëmbajtje në Republikën e Kosovës.

I njëjti akuzohet se pastaj ka rregulluar edhe tri leje të tjera për armëmbajtje në emër të personave tjerë fizikë, si Jahir Krasniqit, Selman Maqanit e Qëndrim Veselit, leje këto kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve të përshkruara më lartë, sipas prokurorisë i akuzuari Atdhetar Rexhepi gjatë viteve 2016/17 ka lajthitur personat Flakron Maqanin, Fitim Imerin, Jahir Krasniqin, Selman Maqanin dhe Qëndrim Veselajn, duke i nxitur të njëjtit që në dëm të pasurisë së tyre t`i japin veç e veç nga pesë mijë euro kinse për t`i pajisur me leje legale për armëmbajtje.

Kurse babai i të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, i akuzuari tjetër Hashim Rexhepi nga prokuroria akuzohet se si drejtor i Sh.P.K “Fazani” nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë i akuzuari Atdhetar Rexhepi, në atë mënyrë që duke mos e penguar, atij i ka lejuar dhe mundësuar që të ndërmjetësojë midis Sh.P.K “Fazani” me persona fizikë për të kryer shërbime për blerje, shitje dhe furnizim me armë dhe leje për armëmbajtje i cili nuk ka pasur asnjë pozitë në këtë Sh.P.K dhe kështu ka kontaktuar me personat e lartcekur të cilët i ka mashtruar. Dhe për pasojë sipas aktakuzës pasi ua ka kërkuar dhe marrë lejet për armë bashkë me armët e përshkruara më sipër të cilat nuk ua ka kthyer si dhe dosjen e aplikimit për armë në emër të Festim Lushtakut, të cilat kanë qenë në portofolin e të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, të cilin portofol e ka mbajtur i akuzuari Hashim Rexhepi në rrobat e veta që janë gjetur gjatë kontrollimit të përkohshëm të shtëpisë së të pandehurve.

Kurse i akuzuari i tretë Qëndrim Veselaj, sipas Prokurorisë në cilësi të dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rreme ashtu që në fillim të vitit 2016 në deklaratën me shkrim të dhënë në MPB ka deklaruar se kinse ‘ju ka humbur leja për armëmbajtje që e kishte marrë nga i akuzuari Atdhetar Rexhepi dhe dëshiron ta pajiset me leje të re për armëmbajtje’ edhe pse në fakt asnjëherë më parë MPB nuk i kishte lëshuar leje të tillë.

Atdhetar Rexhepi nga Prokuroria akuzohet se me veprimet e lartpërmendura ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, mashtrimit dhe armëmbajtjes pa leje, Hashim Rexhepi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Qëndrim Veselaj për deklarim të rremë. /kallxo.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat