Zjarrfikësit protestojnë sot, duan realizimin e kërkesave

Kosova

Zjarrfikësit protestojnë sot, duan realizimin e kërkesave

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 06:47
Foto arkiv

Përkundër premtimeve që Qeveria e Kosovës u ka dhënë zjarrfikësve se do përmirësojnë gjendjen e tyre, ata ende nuk kanë marrë asnjë veprim konkret, andaj zjarrfikësit kanë paralajmëruar protestën e radhës për sot.

Si kërkesa kyçe drejt institucioneve shtetërore që Sindikata e Zjarrfikësve i ka paraqitur në një konferencë për media janë nivelizimi i koeficienteve në nivel komunave, nivelizimi  i rrezikshmërisë së punës me Policinë e Kosovës, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore, fetare dhe orët jashtë orarit, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka theksuar se ndonëse kanë kaluar tre muaj që kur morën zotimin se do të përmbushen kërkesat e tyre, ende nuk ka asnjë veprim në këtë drejtim nga institucionet përkatëse.

Sipas tij, për kërkesat e tyre  nuk ka pasur koordinim në mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai tha se për shkak të injorancës së institucioneve ata po detyrohen që të mbajnë protestën më 15 nëntor, pasi që nuk kanë rrugëdalje tjetër.

Zjarrfikësit me qëllim që kërkesat e tyre të plotësohen patën protestuar edhe më 12 korrik, dhe se me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj ishte themeluar një komision qeveritar që do të merrej me përmirësimin e gjendjes së këtyre punëtorëve.

Protesta nis nga parkingu i Pallatit të Rinisë, ora 10:30, për të vazhduar para objektit të Qeverisë në ora 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat