Mustafa në Mal të Zi: Ekstremizmi do të luftohet nëse shtetet bashkëpunojnë

Kosova

Mustafa në Mal të Zi: Ekstremizmi do të luftohet nëse shtetet bashkëpunojnë

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 14:09
Ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Malit të Zi

Ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Malit të Zi, ku po merr pjesë në konferencën “Forumi i Resiliencës për Ballkanin Perëndimor”.

Me këtë rast, ministri Mustafa, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se kjo konferencë ka qëllim përafrimin dhe bashkëpunimin në ballafaqimin me të gjitha format e ekstremizmit.

 “Ekstremizmi në çfarëdo shkalle të rrezikut të jetë, do të luftohet në mënyrë efikase nëse bashkëpunimi ndërmjet shteteve është në nivelin e duhur. Bashkëpunimi ndërmjet shteteve veç tjerash paralizon aftësitë e grupeve ekstremiste që ndikimi i tyre të jetë ndër-kufitar”, tha z. Mustafa, sipas kumtesës për media.

Gjithashtu, ministri Mustafa u bëri thirrje të gjitha qeverive në regjion, që të mos lejojnë që barrierat politike, të vihen mbi bashkëpunimin ndër-policor.

“Policia e Kosovës dhe agjencitë tjera të sigurisë në Kosovë, janë të gatshme në bashkëpunim me të gjitha shtetet, pa asnjë dallim. Ekstremizmi luftohet edhe me inkorporimin në luftën ndaj tij, edhe të segmenteve si: arsimi dhe fusha të tjera, me anë të cilave konceptualisht do të parandalohej instalimi i ekstremizmit, së pari si ideologji e pastaj edhe si dhunë e hapur”, tha ministri Mustafa.

Mustafa potencoi që si një tregues i qartë statistikor që tregon për punën , si dhe punën në bashkëpunim më partnerët është fakti së në vitet 2017-18, numri i njerëzve nga Kosova që kanë shkuar në zonat e konfliktit ka qenë zero.

“Ndër masat e rëndësishme që ka ndërmarrë Kosova është hartimi dhe miratimi i Ligjit të posaçëm për dënimin e luftëtarëve në luftëra të huaja. Një ligj i tillë i rëndësishëm është “Ligji mbi ndalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit”, i miratuar në vitin 2015.

Ministri Mustafa në fund tha se infrastruktura e mirëfilltë ligjore, veprimet konkrete të agjencive të sigurisë, si dhe bashkëveprimi me segmente të tjera, janë garanci e suksesit në fitoren kundër ekstremizmit të dhunshëm.  

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat