Akuzohet se e goditi me shishe në kokë viktimën, i akuzuari nuk vjen në Gjykatë

Kosova

Akuzohet se e goditi me shishe në kokë viktimën, i akuzuari nuk vjen në Gjykatë

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 23:58
Ilustrim

I akuzuar për veprën penale – lëndim i rëndë trupor, Osman Bajrami nga Kamenica nuk është paraqitur sot në Gjykatën e Gjilanit.

Për këtë arsye, kjo seancë ka dështuar.

Bajrami ka shkelur masën e sigurisë – arrest shtëpiak, pasi që Policia nuk e ka gjetur në shtëpi, njoftoi gjyqtari i vetëm gjykues Zyhdi Haziri.

Pas kësaj situate, prokurori Isuf Sadiku propozoi që procedura ndaj të akuzuarit Osman Bajrami të veçohet derisa të sigurohet prezenca e tij në gjykatore.

Propozim të cilin nuk e kundërshtoi as mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Enver Ajvazi.

Ky veçim i procedurës ndodhi për arsye se të akuzuar në këtë gjykim janë edhe Denis Salihi, Marko Keniq dhe Dushan Gjokiq, të cilët akuzohen për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, por procedura ndaj tyre u vendos të delegohet në gjykatën e Kamenicës, për faktin se veprimet e tyre nuk janë në bashkëveprim me të akuzuarin Osman Bajrami, njoftoi gjyqtari Zyhdi Haziri.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë thuhet se Osman Bajrami nga Kamenica akuzohet se më datë 2 gusht 2018, në restorantin “Bizisten”, i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Aleksandar Mlladenoviq, në atë mënyrë që pa asnjë arsye dhe shkaku me shishe e ka goditur në pjesën e kokës dhe fytyrës të dëmtuarin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore për çka ai vazhdon shërimin në Spitalin e Gjilanit.

Kurse Denis Salihi, Marko Keniq e Dushan Gjokiq, akuzohen se në datën dhe vendin e cekur si më lartë, kanë marrë pjesë në rrahjen për të cilën i dëmtuari Aleksandar Mlladenoviq ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku këta të pandehur duke marrë pjesë në këtë rrahje kishin pësuar lëndime trupore, me çka akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje, thuhet në pikën dy të kësaj aktakuze. /Kallxo/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat