Gjykata e Apelit ia vërteton pafajësinë ish-kryetarit të vet

Kosova

Gjykata e Apelit ia vërteton pafajësinë ish-kryetarit të vet

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 14:21
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj

Më shumë se pesë muaj qëkur Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte gjetur të pafajshëm, tani edhe Gjykata që dikur ai e drejtonte ka vërtetuar aktgjykimin e Themelore me të cilin ish-kreu i Apelit ishte shpallur i pafajshëm.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se Apelit ka vërtetuar gjykimin e Themelores.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rastin e katër  të akuzuarve. Aktgjykimi  i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 28.05.2018, është vërtetuar”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Përveç Mekajt, aktgjykimi lirues është vërtetuar edhe ndaj të akuzuarve tjerë të këtij rasti.

“Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarit S.M.,V.G.,M.S. dhe A.S. konform nenit 364 par.1 pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës , janë liruar nga akuza”, thuhet në njoftimin e Apelit.

I akuzuari i parë  është liruar nga akuza për shkak të veprës penale: “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E akuzuara V.G. për shkak të veprës penale: “Shtytje në kryerjen e veprës penale Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 lidhur me nenin 32 i të njëjtit kod.

Kjo e fundit po ashtu së bashku më  të akuzuari M.S. dhe A.S,  janë liruar nga akuza edhe për veprën penale në bashkëkryerje “Dhënia e ryshfetit në tentativë” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 dhe lidhur me nenin 28 dhe 31 të  po këtij ligji.

Gjykata e Apelit konstaton se në aktgjykimin e atakuar nuk evidentohen shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale,  gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se nuk ka shkelje as të ligjit penal.

I gjithë procesi ndaj Mekajt dhe të akuzuarve të tjerë  ishte zhvilluar prapa syve të publikut pasi gjyqatri Shashivar Hoti e kishte mbyllur këtë seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat