Ambasada Amerikane komenton vendimin e qeverisë për rritjen e taksave

Kosova

Ambasada Amerikane komenton vendimin e qeverisë për rritjen e taksave

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 19:31
Foto ilustrim

Amerikanët i ka trazuar vendimi i Qeverisë për t’i rritur në 100 për qind taksat ndaj produkteve serbe. Ambasada amerikane shpreh kritikat më të ashpra për autoritetet vendore për embargon e vënë ndaj produkteve serbe. Ajo u kërkon liderëve që të mos kontribuojnë në nxitjen e tensioneve

Vendosja e taksave prej 100 për qind të vlerës së mallrave për prodhimet serbe, nga Qeveria e Kosovës, ka shkaktuar reagime të shumta, nga shumë qendra politike.

Për këtë vendim, ka reaguar edhe Ambasada Amerikane, të cilët janë shprehur, sic thonë ata "të trazuar me vendimin e qeverisë së Kosovës".

“Shtetet e Bashkuara janë të trazuara nga vendimi i qeverisë për të ngritur barrierat tregtare. Siç kemi thënë, ne nuk shohim se si përfiton Kosova nga këto masa. Ne fuqimisht nxisim që përqendrimi të rikthehet te interesat thelbësore të Kosovës – e ardhmja e saj evropiane dhe një marrëdhënie e normalizuar me Serbinë.

Tarifat shpërqendrojnë pa nevojë nga këto qëllime, dëmtojnë pozitën ndërkombëtare, dhe kanë ndikim negativ në qytetarët", thuhet në mes të tjerave në këtë përgjigje.

Vendimi i Qeverisë për taksë të qind për qindtë ndaj produkteve serbe u mor një ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol. Politika vendore fajëson Serbinë për lobim agresiv anti-Kosovë.

Ambasada amerikane komenton edhe dështimin në Interpol. Sipas asaj që thonë amerikanët, pikërisht ajo çfarë ndodhi në Dubai duhet t’i shtyjë autoritetet kosovare që te mbajnë angazhim konstruktiv në rrafshin ndërkombëtar.

"Edhe pse shumë zhgënjyes, votimi në INTERPOL nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së angazhimit konstruktiv ndërkombëtar”.

Krejt në fund ambasada amerikane, e cila kishte kritikuar edhe vendimin e mëhershëm të Qeverisë për t’i vënë taksë produkteve serbe, kërkon nga liderët të ulin tensionet.

“Bëjmë thirrje në udhëheqësit që të ulin tensionet, që të promovojnë një ambient të qetë, dhe që të kërkojnë një momentum përpara lidhur me çështjet që do të bijnë përparim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

Ndryshe, sot, përfaqësuesit e peshës më të fuqishme diplomatike në Kosovë, i ashtuquajturi Grupi i Quint, i ka takuar zyrtarët më të lartë të shtetit, Presidentin dhe Kryeministrin.

Burimet tregojnë që ambasadorët kanë dashur të dinë më shumë se çfarë po ndodh në vendin tonë, qoftë me aksionin e sotshëm në veri të vendit, ose me taksën doganore në Serbi.

Haradinaj ndërkohë sot i ka pritur amerikanët për nderë të Ditës së Falendërimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat