42 përmbarues në tërë Kosovën, zgjedhin 50 mijë lëndë

Kosova

42 përmbarues në tërë Kosovën, zgjedhin 50 mijë lëndë

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 13:35
Oda e Përmbaruesve Privat

Gjykatat Themelore, veçanërisht ajo e Prishtinës dhe Pejës nuk po arrijnë që brenda afatit ligjor të shqyrtojnë ankesat e prapësimit për lëndët e përmbaruesve privat.

Kjo vonesë po ndikon që shumë lëndë të kreditorëve nuk po arrijnë të ekzekutohen pas ankesave të debitorëve nëpër gjykata.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Arben Gashi ka thënë se afati ligjor për shqyrtim dhe marrje të vendimit nga ana e gjykatave është 30 ditë, ndërsa Gjykatat Themelore, sidomos ajo e Pejës dhe e Prishtinës zgjasin me muaj dhe vite.

Edhe avokati Tomë Gashi ka kërkuar që të respektohen afatet ligjore nga gjykatat, sepse vendimet e përmbaruesve pastaj po mbesin pa u ekzekutuar.

Ndërsa, edhe pse kp ka kërkuar përgjigje nga Gjykata Themelore në Prishtinë për këto vonesa, këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Përmbaruesi privat, Arben Gashi ka treguar për një numër të madh të lëndëve, që janë me mijëra lëndë në pritje dhe për procedurat përmbarimore.

Ai ka thënë se procedura tek përmbaruesi fillon me një dokument përmbarues, aktgjykim, aktvendim, dokument autorial, faturë ose akte të tjera administrative, të cilat pastaj përmbaruesi shqyrton dokumentin i cili paraqitet nga kreditori(personi që e nisë rastin).

Gashi ka thënë se nëse plotësohen kushtet ligjore, përmbaruesi e lejon përmbarimin, pra nxjerr urdhër përmbarimor dhe i njëjti urdhër përmbarimor dërgohet tek dy palët, tek kreditori dhe debitori.

Pas pranimit të urdhrit përmbarimor me provat përcjellëse, debitori (personi që duhet të përgjigjet) ka shtatë ditë afat për t’u përgjigjur, për t’u paraqitur ose për të bërë ankesë, prapësim.

Gashi: Vetëm nëse debitori nuk paraqet prapsim, urdhri i përmbaruesit bëhet i formës së prerë

“Nëse debitori zgjidhë që të paraqesë prapsim ndaj urdhrit të përmbaruesit, i njëjti prapsim duhet të paraqitet tek përmbaruesi dhe përmbaruesi një ekzemplar të këtij prapësimi e dërgon te pala tjetër që e ka nisur rastin, kreditori, dhe pret eventualisht nëse pala tjetër ka përgjigje të prapësimit.(3’55)Pastaj (debitori)komplet lëndën e dërgon për shqyrtim në gjykatë, për shqyrtimin e prapësimit dhe eventualisht përgjigjet në prapsim. Në rastin kur pala ndaj të cilit është nisur procedura, debitori nuk paraqet prapsim për kundër kalimit të afatit shtatë ditor pas pranimit të urdhrit të përmbaruesit, atëherë urdhri i përmbaruesit bëhet i formës së prerë dhe përmbaruesit i hapet rruga për t’i bllokuar llogaritë e debitorit eventualisht për të sekuestruar dhe konfiskuar pasurinë tjetër të debitorit”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi ka kërkuar nga gjykatat që të marrin vendimet e tyre për ankesat e debitorëve, sepse nëse nuk bëhet përmbarimi apo ekzekutimi i çfarë do lloj vendimi gjyqësor, mbetet vetëm një letër, e cila nuk ka kurrfarë vlere.

Gashi: Sërish kontrolli përfundimtar ka mbetur nën gjykata

“Derisa nuk bëhet përmbarimi apo ekzekutimi i çfarë do lloj vendimi gjyqësor ajo mbetet vetëm një letër, e cila nuk ka kurrfarë vlere pa marrë parasysh që e ka vulën e çfarë do lloj gjykate.Mendoj se (gjykatat) duhet të përshpejtohen, dhe se duhet të ketë edhe një numër më të madh të përmbaruesve për shkak se këta janë në gjendje të kryejnë vetëm një fazë të përmbarimit meqenëse prap kontrolli efikas apo kontrolli përfundimtar ka mbetur nën gjykata. Sepse secili person që nuk pajtohet ai ka të drejtë që në procedurat e rregullta gjyqësore të ushtroj kundërshtime, ankesa të tilla dhe po ashtu zvarriten procedurat”, theksoi avokati Gashi.

Avokati Gashi ka theksuar me tej se përmbaruesit privat lehtësojnë punën e gjykatave që të vie deri te përmbarimi i borxheve apo i aktgjykimeve apo vendimeve që kanë të bëjnë me çështje financiare, por edhe të tjera.

Edhe përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre për zvarritje dhe stërzgjatje të lëndëve nëpër gjykata për prapësimin e vendimit të përmbaruesve privat.

Anëtari i Bordit në Odën e Afarizmit të Kosovës(OAK), Hamdi Malushaj, ka thënë se ka mjaft ankesa nga kreditorët për stërzgjatje të trajtimit të lëndëve nëpër gjykata lidhur me prapësimin e vendimeve për ekzekutim nga ana e përmbaruesit privat.

Malushaj thotë se Ligji për Përmbaruesit është me të meta, dhe sipas tij, gjykatat po zvarritin pa fund lëndët dhe kontestet mes bizneseve.

Ai shtoi se përmbaruesi privat ka hyrë në këtë proces vetëm për një kosto shtesë dhe zgjatje të procedurave gjyqësore dhe, jo lehtësim.

Ndër të tjera Malushaj ka thënë se përmbaruesi privat e ka humbur kuptimin në këtë rast pa fajin e tyre në procesin e zvarritjes së ekzekutimit të borxheve.

Malushaj: Bizneset kërkojnë zgjidhje emergjente

“Po, kemi raste, dhe kanë shprehur interesimin e tyre se sa mund të kontribuon Oda në këtë fushë, duke parë se Oda po merret drejtpërdrejt me hallet e bizneseve. Ne e kemi theksuar këtë probleme pran institucioneve të shtetit. Mirëpo, nuk kemi pasur ndonjë efekt të drejtpërdrejt. Anëtarët tanë presin ndonjë përgjigje, sepse kemi problemin më të theksuar ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinë dhe të Pejës, sepse i tejkalojnë afatet ligjore një muaj ditë që e ka për prapësimin tek përmbaruesit vendimin e prerë... Janë probleme të mëdha dhe barrë e rëndë për biznesin. Kërkojnë zgjidhje emergjente, sepse një borxh mund të jetë edhe shkaktar i falimentimit të një firme”, theksoi Malushaj.

Ai ka bërë thirrje gjykatave të jenë më efikase në prapësimin vendimeve gjyqësore.

Ndërsa, përmbaruesi privat Arben Gashi ka thënë se janë rreth 50 mijë lëndë të trajtuara nga 42 përmbarues sa janë në tërë Kosovën. Ndërsa, sipas tij, rreth 150 milionë euro janë grumbulluar për kreditorët nga puna e përmbaruesve privat.

Gashi: Rreth 150 milionë euro janë nxjerrë nga borxhlinjtë

“Rreth 150 milionë euro janë nxjerrë nga borxhlinjtë dhe iu janë kthyer kreditorëve, personave që kanë pasur të drejtë realizimin e kësaj të drejte”, thesoi Gashi.

Kjo detyrë e përmbaruesve privat, nga Gashi po konsiderohet se është mjaft e rrezikshme, ku ka pasur sulme dhe kërcënime serioze ndaj tyre. Në fakt kjo është edhe arsyeje që vetëm 42 përmbarues privat janë në tërë Kosovën. Prandaj, Gashi ka kërkuar edhe më shumë siguri për ushtrimin e kësaj detyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat