INDEP: Të ndalen reduktimet e rrymës dhe të ndëshkohen shkelësit e ligjit

Kosova

INDEP: Të ndalen reduktimet e rrymës dhe të ndëshkohen shkelësit e ligjit

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 14:49
Ilustrim

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji, Qeverisë dhe institucioneve të tjera të marrin masa të menjëhershme ndaj KEDS/KESCO si përgjegjës për ndërprerjet e paligjshme të furnizimit me energji elektrike.

Në reagimin e INDEP, thuhet se në ditët e fundit, kanë parë ndërprerje të pa arsyeshme dhe të paplanifikuara të furnizimit me energji elektrike.

“Kjo praktikë shkelë Ligjin për Energjinë Elektrike, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, të drejtat njerëzore të qytetarëve për qasje në shërbime jetike si dhe cenon lirinë ekonomike të subjekteve biznesore. Ligji për Energjinë Elektrike përcakton qartë obligimin ligjor të furnizimit universal për ndërmarrjet e caktuara të energjisë me qëllim të furnizimit të rregullt e të pandërprerë për konsumatorët. Ligji është i qartë që këtë të drejtë e gëzojnë: “të gjithë konsumatorët familjar dhe jofamiljar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë milionë euro, ose jo më shumë së pesëdhjetë punonjës. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë të paligjshme dhe në kundërshtim edhe me Vendimin të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe për këtë duhet të shqyrtohet mundësia e revokimit të licencës për kompaninë e furnizimit KESCO si shkelëse e obligimit që shteti i ka vënë për shërbimin universal. Infrastruktura ligjore për revokimin e licencës ekziston e po ashtu edhe furnitorë të tjerë të licencuar. Ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike shkelin drejtpërdrejtë edhe Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në nenin 24 të këtij Ligji është përcaktuar qartë e drejta e konsumatorit për qasje dhe furnizim të rregullt, për cilësi të shërbimit dhe e drejta në kompensim në rast të dëmit: 1. Ofruesit e shërbimeve publike janë të detyruar të ofrojnë qasje në shërbimet publike për të gjithë konsumatorët. 2. Ofruesit e shërbimeve publike janë të detyruar te sigurojnë shërbime konsumatorit, duke marrë parasysh, cilësinë, standardet, sigurinë dhe furnizimin me rregull, përveç në rastin e avarive të ndikuara nga faktorët natyror. 3. Ofruesi i shërbimeve publike detyrohet t’i kompensoj dëmin eventual konsumatorit në rast të ofrimit të shërbimit jo cilësor dhe jo adekuat”, thuhet në reagim.

Ky institut thotë se furnizimi me energji elektrike është një e drejtë njerëzore dhe ndërprerja e furnizimit në muaj të ftohtë të dimrit shkakton dëme në shëndetin e popullatës, ndërpret ose dobëson shërbimet shëndetësore publike etj.

“Këto ditë, po shohim Komuna që s’mund të ofrojnë shërbime pa rrymë, spitale e Qendra të Mjekësisë Familjare me shërbime të limituara si pasojë e mungesës së energjisë elektrike etj. Gjithashtu, përmes ndërprerjeve të paligjshme të energjisë elektrike, KEDS/KESCO kanë dëmtuar një numër të madh biznesesh të cilat nuk kanë pasur mundësi të planifikojnë reduktimet. Përfundimisht, Zyra e Rregullatorit për Energji bashkë me mekanizmat tjerë të mbrojtjes së konsumatorit duhet të bëjnë një vlerësim të menjëhershëm të dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve. KEDS/KESCO duhet të ndëshkohen menjëherë deri në shqyrtimin e revokimit të licencës për KESCO si shkelëse e drejtpërdrejtë e obligimit të furnizimit universal. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë që i vetmi reduktim tjetër që KEDS/KESCO do të guxojnë të bëjnë është reduktimi i faturave të qytetarëve, për të kompensuar dëmin e madh që kanà « shkaktuar reduktimet e rrymës”,thuhet në reagim.

Sipas INDEP, Vetëm atëherë do të rritet ndërgjegjësimi i kompanive të energjisë dhe reagimet publike ndaj tyre do të kenë kuptim e do të jenë të sinqerta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat