Nxënësit e shkollës së Gradicës mbajnë mësim në të ftohtë

Kosova

Nxënësit e shkollës së Gradicës mbajnë mësim në të ftohtë

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 13:05
Shkolla “Mehmet Gradica”,

Ndonëse temperaturat kanë rënë dhe në fillim të javës bora zbardhi vendin, në shkollën fillore” Mehmet Gradica” në Gradicë të Drenasit nuk janë lëshuar fare nxemëset duke vështirësuar kështu mbajtjen e mësimit.

Fajin për mungesë të ngrohjes e ka Drejtoria e komunale e Arsimit në Drenas, e cila nuk ka sjell lëndë djegëse për këtë vit, edhe pse një gjë e tillë është dashur të ndodhë më 15 tetor.

Kp ka vizituar shkollën “Mehmet Gradica”,  ku situata në klasa nuk ishte e përshtatshme për zhvillimin  e orës së mësimit.

Për këtë gjendje të krijuar janë ankuar nxënësit dhe mësimdhënësit, derisa numri i nxënësve  që e vijojnë mësimin ka rënë dukshëm.

Alemdina Bardhi nxënëse e klasës së nëntë tha se për shkak të të ftohtit janë duke e mbajtur  mësimin me orar të shkurtuar.

Bardhi: Për shkak të ftohtit mësimin e mbajmë me orar të shkurtuar

“E kemi ftohtë kushtet nuk janë sikurse herët tjera, është më ftohtë, mësimet i marrim me orar të shkurtuar , nuk janë si gjithë , nuk janë kushtet se si duhet të mbahet mësimi...Veshur me jakne nuk është mësimi se si duhet me qenë“, ka shtuar ajo.

Nxënësi  Miftar Muja thotë se nëse nuk ndërmerret diçka ai do e ndërpres procesin mësimor, deri në përmirësim të gjendjes.

Muja: Në këso kushte nuk do vijojmë mësimin

“Edhe pse afati për të ndezur nxehjet ka kaluar që nga 15 tetor, ne kemi kushtet  e rënda për të zhvilluar orët mësimore dhe pasi që është shumë ftohtë ne kemi shkurtuar orët në 30 minuta...Nuk do të vijmë në shkollë në këtë mënyrë“,ka  deklaruar Muja.

Arsimtari i gjuhës shqipe në këtë shkollë,  Nexhmedin Dervishi u shpreh se mungesa e ngrohjes po e vështirëson procesin mësimor.

Ai tregon se me vetë iniciativë ka siguruar disa metra dru për ngrohje deri në fund të javës.

Dervishi: Nëse nuk ndërmerret diçka mund të ndërpritet mësimi

“Ne nuk kemi fare nxehje deri në ditën e djeshme, kemi filluar me orar të shkurtuar të punojmë, për dje dhe sot unë i kam siguruar konkretisht mu kanë dhimbsur nxënësit sepse me ta e kaloj jetën, e kam siguruar nxehjen për dje dhe sot, prej nesër nuk dihet fare...ndryshe, kemi marr vendim dje në drejtori të shkollës se nëse nuk e sigurojnë ministria e Arsimit , DKA-ja nxehjen prej të hënës me marr masa me i njoftua që mos të vije deri tek ndërprerja e mësimit...Nëse nuk sigurohet deri të hënën në Këshillin e Prindërve që me e ndërpre, niher nuk do vije deri tek ajo”, ka thënë ky mësimdhënës.

Dervishi tha se ndonëse për këtë gjendje e kanë njoftuar dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Drenas, ata ende asgjë nuk kanë ndërmarrë.

Ndërkaq, zëdhënësi i komunës së Drenasit, Bekim Dobra edhe pse e pranon që kanë pasur vështirësi në këtë aspekt, fajin për mos furnizim me dru me kohë për institucionet arsimore në këtë komunë ia hedhë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Dobra shton se pothuajse të gjitha shkollat janë furnizuar me disa metra dru derisa të kalohen disa faza të prokurimit.

Sipas tij brenda javës do të nënshkruhet marrëveshja me kontraktorin për furnizim me dru, dhe kështu të gjitha shkollat e Drenasit, duke përfshirë edhe ajo e fshatit Gradicë do furnizohen me këtë lëndë djegëse gjatë javës së ardhshme.

Dobra: Nuk është faji i komunës së Drenasit për mos furnizim me dru nëpër shkolla

“Nuk është faji i komunës ne i kemi pasur të përgatitura dhe të planifikuar buxhetin për me i furnizua të gjitha shkollat me lëndë djegëse , por ka qenë projekti për thëngjill, momentet e fundit ministria e Arsimit e ka ndërruar vendimin realisht i ka urdhëruar komunat edhe institucionet arimore mos të përdorin thëngjillin...Këto procedura neve na kanë vonuar edhe jemi detyruar të bëjnë komplet ndërrimin e kërkesës në prokurim dhe të bëjmë kërkesën nga fillimi që blerja do jetë vetëm për dru”, ka shtuar Dobra.

Dobra tutje tha se me leje të MASHT-it kanë marr vendim që drutë e konfiskuar do u dhurohen shkollave për ngrohje.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marr vendim që të gjitha shkolla të ngrohen me dru dhe jo me thëngjill, dhe kjo ka shkaktuar telashe sa i takon ngrohjes edhe nëpër shkolla tjera në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat