Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje bashkëpunimi në shëndetësi

Kosova

Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje bashkëpunimi në shëndetësi

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 13:31
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Uran Ismaili dhe, ministrja e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, e cila do të përmirësojë kushtet e shëndetit të të dy vendeve.

Të nxitur nga vullneti për të forcuar bashkëpunim midis dy vendeve ne fushën e shëndetit dhe shkencave mjekësore, të dy ministrat thanë se  ky bashkëpunim do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të shëndetit të popullsive përkatëse. 

Ministri Ismaili, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, tha se intensifikimi i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri edhe në fushën e shëndetësisë, është lajm i mirë për qytetarët e të dy vendeve.

“Sot e bëmë edhe një hap përpara fuqizimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona. E kjo do të jetë në shërbim të qytetarëve tanë, për të cilët do të përmirësojmë kushtet e shëndetit andej dhe këtej kufirit”, tha ministri Ismaili. 

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, tha se kjo marrëveshje do të mundësohen shumë bashkëpunime në të mirë të profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve. 

Në bazë të kësaj marrëveshje, palët do të angazhohen për të nxitur shkëmbimin e informacioneve dhe dokumentacionit mbi shëndetin në sektorët me interes të përbashkët; shkëmbimin e informacioneve mbi aparaturat e reja, produktet farmaceutike që kanë dëshmuar kosto-efikasitet dhe zhvillimet teknologjike në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore; shkëmbimin e eksperteve dhe personelit shëndetësorë në funksion të përmirësimit të strukturave shëndetësore në vendet tona.

Po ashtu, do të ketë ofrim të shërbimit shëndetësor nga mjekët e Republikës së Kosovës për zonat kufitare të Republikës të Shqipërisë,  pjesëmarrje në kongreset dhe simpoziumet me karakter ndërkombëtar, bashkëpunimin për përgatitjen dhe prezantimin e projekteve të përbashkëta kërkimore zhvillimi, asistence teknike dhe formimi, etj.             

Po ashtu, palët do të ngrenë një Komitet të Përbashkët Monitorimi dhe Koordinimi, i cili do të shqyrtojë mundësitë dhe do të përcaktojë modalitetet e bashkëpunimit midis palëve, për prioritet në fushat, si organizimin e sistemeve shëndetësore kombëtare përkatëse, fushën e përafrimit të legjislacionit me BE-në, etj. 

Ndryshe, në bazë të kësaj marrëveshje, secila prej palëve, në rastet urgjente, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, do të japë ndihmë mjekësore, qytetarëve të palës tjetër, gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm e të ligjshëm sipas legjislacionit përkatës të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat