Kërkohet krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë

Kosova

Kërkohet krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Klubi i Prodhueseve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në kuadër të “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë” shprehin zhgënjimin e tyre për mos përfshirje në takimin e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në Pejë.

Klubi i Prodhuesve dhe Bashkimi i Prodhuesve ditë më parë kanë shprehur kërkesat e tyre dhe kanë adresuar ato tek të dy qeveritë, duke kërkuar që këto të merren parasysh gjatë kësaj mbledhje të sotshme. Përveç fjalëve të mira dhe premtimeve të zakonshme, nuk ka asnjë lëvizje për largimin e barrierave.

Prodhuesit kanë kërkuar eliminimin e barrierave tregtare dhe unifikimin e tregut kombëtar shqiptar. Kërkesat të cilat janë adresuar kanë të bëjnë me problematikat që prodhuesit hasin gjatë tregtisë së tyre, e të cilat kanë të bëjnë me procedura tarifore dhe jo-tarifore.

Kërkesat e tyre specifike janë heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave.

Klubi i Prodhuesve dhe Bashkimi i Prodhuesve po ashtu kërkon njohjen reciproke të regjistrimit te produkteve farmaceutike (autorizimi për tregtim) nga agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet, përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve, heqjen e tërësishme për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për kamionët, heqjen e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën.

Po ashtu, kërkohet krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe që të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë” dhe përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në kuadër të Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë nuk do të ndalin me kërkesat e tyre, deri në momentin e përmbushjes së këtyre nga Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat