Furrtarët e Kamenicës “ulin çmimin” e bukës për nder të 28 Nëntorit

Kosova

Furrtarët e Kamenicës “ulin çmimin” e bukës për nder të 28 Nëntorit

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 16:00
Ilustrim

Furrtarët e Kamenicës kanë marrë vendim që për nder të 28 Nëntorit të ulin çmimin e bukës.

Pas rritjes së çmimit të bukës në disa komuna të Kosovës, furrtarët e Kamenicës kanë vendosur që për festën e 28 Nëntorit  ta ulin çmimin e bukës nga 40 centë në 35 centë.

Këtë e ka konfirmuar për kallxo pronari i furrës “Zeka” në këtë komunë, Veton Zeka.

“Pas një mbledhje me Drejtorin për Shërbime Publike, Ramadan Basha ku prezent ishim të gjithë furrtarët e Kamenicës morëm vendim që për nder të festës së 28 Nëntorit të ulim çmimin e bukës nga 40 centë në 35. Ky vendim është i përkohshëm pra 10 ditë. Gjithsesi këtë e bëmë për nder të Festës së Flamurit”, tha ai.

Kurse sipas një njoftimi për media të Komunës së Kamenicës, nuk është cekur nëse ky vendim është marrë për shkak të 28 Nëntorit, por për shkak të taksës 100% nga Qeveria e Kosovës.

“Drejtori për Shërbime Publike dhe Inspektorat Ramadan Basha, bashkë me shefin e Inspektoratit, Liridon Beqiri dhe furrtarët e Kamenicës, kanë mbajtur sot një takim të përbashkët. Në këtë takim, furrtarët të gjithë së bashku u dakorduan që çmimin e bukës ta zbresin prej 40 cent në 35 cent. Sipas tyre, këtë vendim në bashkëpunim me DSHPAI e kanë marrë si shenjë solidarizimi për qytetarët e Kamenicës, pas vendimit për rritjen e taksës 100% nga Qeveria e Kosovës”, është thënë në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat