Dragashi ishte i stolisur me flamuj të shumtë dhe me mbishkrime “Urime Festa e Flamurit”!
Për nder të kësaj feste në sallën e edukatës fizike të Dragashit u mbajt turniri i vogël në futboll për meshkuj dhe i volejbollit për femra!
Në akademinë solemne mbajtur në ambientet e SH.M.U. “Fetah Sylejmani” në Dragash, e cila fillojë me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror, me pas foli kryetari I komunës z. Shaban Shabani, i cili ndër të tjera tha: “Ne jemi mbledhur këtu për të festuar këtë datë të shënuar kombëtare për të nderuar e lartësuar frymën dhe shpirtin e bashkimit që e trasuan, heroi kombëtar Skënderbeu, plaku i mençur Ismail Qemali, komandantit legjendar Adem Jashari, dalja në skenë e UÇK-së dhe të gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare që luftuan duke e valëvitur flamurin kombëtar.
Sot është ditë feste, por ajo mund të jetë një ditë e rëndësishme për të menduar me ndërgjegje të pastër, me përgjegjësi kombëtare e me pjekuri politike dhe për t’iu rikthyer kujtesës dhe shembullit të atyre burrave të fisshëm që u mblodhën, luftuan dhe fituan Pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës.
Ngase liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë sonë, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash.
Urime Festa e Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë Ne ka qenë dhe mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptarë, ju uroj të gjithëve: Gëzuar Festën Kombëtare!
Më pas të gjithë pjesëmarrësit zhvilluan homazhe pranë shtatores së Adem Jasharit dhe të varrezat e Dëshmorëve, në Dragash dhe fshatin Buçe, në nderim të të rënëve për liri.